Site icon Telegrafi

Kreu vrasje, dhunime dhe keqtrajtime ndaj civilëve në Kosovë – ngritet aktakuzë ndaj gjakovarit për krime lufte

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.I, i nacionalitetit shqiptar, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale: “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish RSFJ-së.

Sipas njoftimit të Prokurorisë thuhet se hetimet kanë vërtetuar se  i pandehuri, gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Osek Hylë të Komunës së Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, ka kryer vrasje, dhunime, arrestime dhe keqtrajtime ndaj popullsisë civile shqiptare që nuk ishin të përfshirë në luftë.

Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, konform dispozitave të KPPK-së, për shkak se i pandehuri gjendet në arrati.

“Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version