Gjykata e Fierit ka dënuar me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim shtetasin S.H., i cili ishte akuzuar për veprime të turpshme ndaj mbesës së tij ndërsa kallëzimi për të ishte bërë në Komisariatin e Policisë Lushnjë më 04 qershor të vitit 2024.
Shtetasi S.H. u shpall fajtor nga gjykata, ndërsa do të vuaj përfundimisht 5 vite burgim, për shkak të parashikimeve Kodit të Procedurës Penale.
Në vendimin e saj, Gjykata e Fierit vendosi:
Deklarimin fajtor të S.H. për kryerjen e veprës penale “Vepra të turpshme”, sipas nenit 108/2 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 7 vjet e 6 muaj burgim.
Në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi u ul me 1/3, duke i dhënë S.H. një dënim përfundimtar prej 5 vjetësh burgim.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, kishte dërguar në gjyq S.H. për veprën penale “Vepra të turpshme”, sipas nenit 108/2 të Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria, pas kallëzimit të bërë në Komisariatin e Policisë Lushnjë më 04.06.2024, provojnë se S.H. ka kryer veprime të kundraligjshme ndaj mbesës së tij të mitur, E.H., të moshës 11 vjeçare. Këto veprime janë përsëritur në kohë të ndryshme. I pandehuri e ka kërcënuar vazhdimisht të miturën, duke i thënë se do ta vriste nëse ajo do të tregonte. Ky informacion u bë i njohur për organet e procedimit nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijës dhe psikologia e shkollës, pasi ishin vënë re ndryshime drastike në sjelljen e të miturës.
Prokuroria thekson se veprimet e S.H. kanë cënuar integritetin psiqik dhe emocional të të miturës, duke i shkaktuar pasoja psikosociale, si frikë dhe pasiguri për të ardhmen, të cilat buronin nga ngacmimet dhe veprat e turpshme që i pandehuri ushtronte ndaj saj.
Në përfundim, Prokuroria shpreh angazhimin e saj të plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që dëmtojnë moralin dhe dinjitetin e shtetasve. /Telegrafi/