Kreu i përgjithshëm i Spiunazhit amerikan hodhi poshtë akuzat e presidentit të zgjedhur Donald Trump se inteligjenca amerikane i dha medieve përmbajtjen e raporteve sekrete.
Trump akuzoi ashpër spiunët amerikanë se, me dashje i kishin kaluar medieve informacione të rreme, sipas të cilave Rusia kishte materiale kompromentuese për të.
Por James Clapper, drejtori i Inteligjencës Kombëtare që mbikëqyr të gjitha agjencitë e Inteligjencës në vend, tha se ishte i tronditur nga rrjedhja e informacionit. Ai shtoi gjithashtu se komuniteti i inteligjencës ende nuk kishte bërë vlerësim, nëse informacionet ishin të besueshme apo jo.
Clapper tha se kishte folur me Trumpin për t’i sqaruar qëndrimin e tij.
“Theksova se ky dokument nuk është produkt i inteligjencës amerikane dhe se nuk besoj që rrjedhja e informacionit erdhi nga brenda komunitetit të inteligjencës”, deklaroi Clapper.
Ai shtoi më tej se ishte dakord me Trumpin, kur thotë se kjo shkelje sigurie ishte shumë e dëmshme për sigurinë e kombit dhe se komuniteti i inteligjencës është i gatshëm t’i shërbejë administratës “Trump”.
Pretendimet e raportit të publikuar nga mediet thonë se ekipi i Trumpit bashkëpunoi me Rusinë dhe se kjo e fundit kishte materiale kompromentuese për të, por këto nuk janë vërtetuar dhe konfirmuar nga askush. Megjithatë, një pjesë e analistëve mendojnë se ato po përdoren mjaft mirë për të dëmtuar imazhin e presidentit të zgjedhur.