Tomislav Radovanoviq, ish-shefi i Shërbimit për Metodat Speciale të Hetimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme është emëruar si ushtrues detyre i drejtorit të Agjencisë së Informacionit të Sigurisë së Serbisë (BIA).
Radovanoviq do ta udhëheq agjencinë e spiunazhit të shtetit serb pas largimit të Aleksandar Vulinit, i cili dha dorëheqje disa javë pasi u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton nova.rs.
Emri i Radovanoviqit, të cilin shumëkush e konsideron si adutin kryesor të autoriteteve shtetërore në luftën kundër inspektorëve që zbuluan “Jovanjicën”, ishte i njohur edhe më parë për publikun sepse ishte shef i xhandarmërisë gjatë një incidenti të madh në një ndeshje basketbollistike ndërsa raportohet se ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Dijana Hrkaloviqit si dhe kishte pretendime për të marrë postin e drejtorit të policisë serbe.
Incidenti me tifozët
Siç është raportuar edhe më herët nga mediat, Radovanoviq ka qenë komandant i një toge të xhandarmërisë 17 vjet më parë kur ndodhi një incident i madh në derbin basketbollistik mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit, i cili u zhvillua në palestrën “Pionir” në Beograd. Ka pasur një sherr të madh mes tifozëve të Crvena Zvezdës dhe policisë.
Gjithçka ka nisur pas një incidenti mes një tifozi dhe policisë, i cili u përshkallëzua. Xhandarmëria serbe më pas ka shtypur aq shumë tifozët, sa që është thyer gardhi dhe më pas dhjetëra tifozë kanë rënë nga një lartësi prej tre metrave. Për shkak të këtij incidenti, Radovanoviq u suspendua për nëntë muaj.
Pas pezullimit u emërua në detyrën e komandantit të Njësisë së Ndërhyrjes. Prej aty ai u ngjit në postin e kreut të Departamentit për Metodat Speciale të Hetimit të UKP-së, ndërsa pak vite më parë ra në sy për aferën e “përgjimit të presidentit”.
Afera e “përgjimit të presidentit”
Radovanoviq deklaroi se në MPB ekziston një strukturë paralele “të njerëzve të përzgjedhur”, qëllimi i së cilëve ishte mbledhja e informacioneve për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe familjen e tij.
Ai theksoi se grupi u formua në kohën kur ministri përgjegjës ishte Nebojsha Stefanoviq dhe se kishte mbështetje logjistike dhe të tjera nga “një shërbim inteligjent perëndimor” dhe se kishte krijuar një rrjet inteligjence me “manjatë” dhe grupe të organizuara kriminale.
Shpifja ndaj inspektorëve që zbuluan “Jovanjicën”
U.D. i BIA-s shpesh shpifte në kurriz të inspektorëve Slobodan Milenkoviq dhe Dushan Mitiq, të cilët arrestuan Predrag Koluvian shkaku i plantacionit më të madh të marihuanës në Evropë.
Pretendimet e tij ishin pjesë e një fushate të organizuar kundër dy inspektorëve, të cilët Koluvia i akuzoi se u përpoqën ta detyronin t’ia atribuonte të gjithë drogën Andrej Vuçiqit, vëllait të presidentit të Serbisë.
“Nuk mund ta ndaj rastin e Jovanjiqit me atë të përgjimit të Presidentit të Serbisë. Sa i përket bisedave të përgjuara, mund të them se asnjëra prej tyre nuk është inkriminuese dhe nuk ka asnjë arsye për të dyshuar. Meqenëse nuk arritën ta diskreditonin presidentin në përpjekjen e parë, ata kaluan në planin B. Ata u përpoqën ta ndërlidhin Predrag Koluvian me vëllain e presidentit të Serbisë”, tha Radovanoviq në një paraqitje televizive.
Bashkëpunëtor i Dijana Hrkaloviq
Gjatë qëndrimit të Dijana Hrkaloviqit në MPB, Radovanoviq konsiderohej bashkëpunëtor i saj i ngushtë dhe person i besuar, veçanërisht duke pasur parasysh se ishte pjesë e ekipit të saj më të ngushtë.
Këtë fakt e ilustron fakti se pas arrestimit të kreut të “klanit Skaljar”, ai me ish-sekretaren shtetërore të MPB-së ka udhëtuar me aeroplan drejt kryeqytetit turk, Ankara. Ata dëshironin ta ekstradonin Vukotiqin në Serbi. por ai u vra vitin e kaluar në Turqi.
Në media është përmendur fakti se Hrkaloviqi e ka shpëtuar nga shkarkimi, kur djali i tij, pjesëtar i MPB-së, kishte rrahur një burrë.
Mirënjohjet
Për trimëritë që ka treguar në zgjidhjen e situatës së disa pengjeve është vlerësuar me “Medaljen e guximit – Millosh Obiliq”.
Sindikata e Policisë së Serbisë i ka dhënë edhe mirënjohjen – “Oficer i mirë”. /Telegrafi/