Telegrafi

Kreu i OBSH-së: Akoma është herët që shtetet të shpallin fitoren ndaj coronavirusit

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar sot zyrtarët e shteteve se akoma është herët të shpallet fitorja ndaj coronavirusit – duke marrë parasysh zhvillimin e këtij virusi.

Ai shpjegoi sesi coronavirusi është akoma i rrezikshëm për banorët, dhe se akoma po zhvillohet para syve të banorëve të botës, transmeton Telegrafi.

“Është tepër herët që cilindo vend të shpall fitoren. Që kur Omicroni për herë të parë u identifikua, OBSH ka regjistruar 90 milionë raste të infektimit. Është shumë më tepër sesa gjatë tërë vitit 2020”, tha Ghebreyesus.

Ai gjithashtu shpjegoi se zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë të brengosur për narracionin më të shpeshtë mes shteteve, që po heqin dorë nga parandalimi i bartjes së virusit mes banorëve.

“Jemi të brengosur që në disa vende po mbizotëron narrativa që për shkak të vaksinimit apo rrezikut të ultë nga Omicroni, ekziston mundësia më e madhe që të ndërpriten plotësisht masat kundër përhapjes së mëtejme të infeksionit.

“Bartja më e madhe e virusit nënkupton më shumë raste të vdekjeve. Nuk po i bëjmë thirrjeve vendeve që të rikthehen në kohën e izolimit, por u bëjmë thirrje të mbrojnë qytetarët e tyre duke përdorur të gjitha opsionet e mundshme”, tha kreu i OBSH-së. /Telegrafi/