Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Gebreyesus, ka paralajmëruar liderët botëror se pandemia e coronavirusit “nuk është as afër fundit”.
Siç raporton BBC, duke folur në një konference për media në selinë e OBSH-së në Gjenevë, Tedros tha para gazetarëve se varianti Omicron ka shkaktuar mbi 18 milionë infeksione në mbarë botën gjatë javës së kaluar, transmeton Telegrafi.
“Derisa ky variant po cilësohet më pak i rrezikshëm, narrativa se bëhet fjalë për një sëmundje të lehtë, është e gabuar. Pra, të mos gabohemi, Omicron shkakton hospitalizim dhe vdekje, e madje edhe rastet më të lehta po kolapsojnë sistemin shëndetësor”, shtoi Tedros.
Ai paralajmëroi liderët botëror se “me rritjen ekstreme të rasteve me Omicron në nivel global, sigurisht se do të shfaqen variante të reja, për këtë gjurmimi dhe vlerësimi mbeten kritike”.
“Akoma jam i brengosur për shkak se vende të caktuara kanë përqindjen shumë të ulët të vaksinimit, pasi që njerëzit shumë herë më shumë janë të ekspozuar rrezikut nga sëmundja e rëndë e vdekja, nëse nuk janë vaksinuar”, shtoi i pari i OBSH-së.
Drejtori i OBSH-së për raste urgjente, Mike Ryan, gjithashtu ka paralajmëruar se rritja e rasteve me Omicron do të sjellë edhe rritjen e rasteve të hospitalizuarve dhe ato të vdekjeve – në veçanti në vendet ku është numri i vogël i njerëzve të vaksinuar.
“Rritja e rasteve, pavarësisht peshës së varianteve, sjell deri te rritja e rasteve të hospitalizuarve dhe të vdekurve”, shtoi ai.
Në të njëjtën kohë, në Evropë po regjistrohen rekorde të rasteve për shkak të përhapjes së shpejtë të Omicronit në kontinentin e vjetër.
Në Danimarkë zyrtarisht të martën janë regjistruar 33.493 raste me COVID-19, derisa autoritetet shëndetësore në Itali regjistruan 228.179. Franca ndërkohë ka regjistruar 464.769 raste të reja brenda 24 orëve të fundit. /Telegrafi/