Site icon Telegrafi

Kreu i KMSH, Skënder Bruçaj, uron agjërim të lehtë

Një ditë përpara se të fillojë Muaji i madhërueshëm i Ramazanit, një prej më të shënuarve në kalendarin e fesë Islame, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj ka uruar të gjithë besimtarët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve, për një muaj Ramazani të begatë.

“Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni, në Shqipëri, në trevat shqiptare, anembanë botës. Më lejoni që në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por edhe në emrin tim personal, t’iu përshëndes me paqen dhe sigurinë që vjen prej Krijuesit tonë Mëshirues dhe Mëshirëbërës dhe t’iu uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit”, uron Bruçaj.

Dita e parë e Ramazanit do të jetë e nesërmja e 6 qershorit, kur edhe do të nisë agjërimi për të gjithë besimtarët myslimanë. Me agjërimin e Ramazanit – sipas fesë Islame, – shprehet më së miri besimi, sinqeriteti, humanizmi, uniteti e bujaria, virtyte këto që duhet të stolisin çdo besimtar në jetën e tij të përditshme. Agjërimi mbart në vetvete sakrificën dhe përkushtimin ndaj Allahut, e qëllimi kryesor është fitimi i kënaqësisë së Zotit.

“Ramazani njihet si muaji i Kur’anit Famëlartë, prandaj le të na shërbejë kjo periudhë e bekuar kohore për njohjen sa më të thellë të mesazhit hyjnor dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të vlerave e traditave tona të bukura islame”, thotë më tej Skënder Bruçaj në deklaratën e tij.

Muaji i begatë i Ramazanit na rikujton kujdesin, vëmendjen dhe dashurinë që duhet të kemi për njerëzit që na rrethojnë, në veçanti për ata që kanë nevojë për përkrahjen tonë në përmbushjen e nevojave të tyre jetike, duke u bërë në këtë mënyrë shkak që edhe në shoqërinë tonë të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja.

Exit mobile version