Telegrafi

Petrit Vasili del kundër Thaçit: Kosova me SHBA-të problemin e kufirit e zgjidhën me luftë

Kreu i Grupit Parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili, është politikani i radhës nga Shqipëria që del kundër idesë së prekjes së kufijve të Kosovës.

Ish-kryetari i LSI-së, në një shënim në Facebook ka shkruar se në Kosovë ka filluat të shfaqet një re e zymtë dhe e errët, përcjell Telegrafi.

Sipas deputetit Vasili, rihapja e debatit për territoret riciklon të shkuarën e errët që Kosova bashkë me SHBA-të e zgjidhën me luftë.

Politikani shqiptar thotë se ekzistojnë tri dokumente themelore që përcaktojnë shtetësinë e Kosovës në kufijtë aktual.

Vasili shton më tej se Plani Ahtisaari, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë përcaktojnë Kosovën e pavarur dhe me integritet territorial absolutisht të padiskutueshëm.

Postimi i plotë i kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili:

“Deklarata e Pavarësisë dhe Plani Ahtisaari asgjësojnë riciklimin e të shkuarës në Kosovë.

Riciklimi i të shkuarës së egër dhe të zymtë është reja e errët, që ka filluar të ç’faqet mbi Kosovë.

Diskutimin e territoreve e ka zgjidhur Deklarata e Pavarësisë dhe Plani i Ahtisaarit.

Çdo rihapje e debatit riciklon të shkuarën e errët të cilën Kosova se bashku me SHBA dhe të tjerë e zgjidhën me luftë.

Megjithatë për këdo, që i është errësuar memoria po i risjell edhe një herë pjesë nga tre dokumente që janë themeli i Kosovës së pavarur dhe saktësisht

1. percaktimin e kufijve ne Aneksin VIII te planit te Ahtisaarit,

2. percaktimin ne Deklaratën e Pavarësisë

dhe

3. Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

1. Aneksi VIII i Planit Ahtisaari:
“3.2. Territori i Kosovës do të përkufizohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome e Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001.”

2. Ja ç’thotë Deklarata e Pavarësisë:
“1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.”

3. Vulen përfundimtare i gjithë ky proces qe Kosova e kishte pritur me për dhjetëra e mori në 22 korrik 2010 kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli Vendimin e saj për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me të cilën “Vlerësonte se Deklarata nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, dhe se autorët ishin duke vepruar në cilësinë e tyre si përfaqësues të popullit të Kosovës.”

Këto tre dokumente janë kolonat që përcaktojnë Kosovën e pavarur dhe me integritet territorial absolutisht të padiskutueshëm të njohur nga 119 vende të botës është sot shtet që ulet si i barabartë në çdo tavoline.

Këto tre dokumente i lejojnë Kosovës që të ecë në rrugëtimin jetik evropian.

S’ka fuqi dhe tavoline që i zhbën dot këto tre dokumente.

Dialogu me Serbinë ka një premise të pakapërcyeshme për të vazhduar me tej njohjen e Kosovës.

Sa kohe qe kjo nuk ka ndodhur kjo, debatet për “korrigjime” e “redaktime” kufijsh janë debate verore, që zgjasin sa vapa e gushtit” (sic.), ka shkruar Vasili. /Telegrafi/