Telegrafi

Kreu i Akademisë serbe mohon memorandumin famëkeq

Duke shpjeguar se në ç’mënyrë akademia serbe do të përgjigjet kur presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic të kërkojë ndihmën konkrete në zgjidhjen e problemit të Kosovës, Hajdin ka thënë në një intervistë për gazetën “Vecernje novosti” se edhe në Këshillin Ekzekutiv të akademisë është konfirmuar gatishmëria në zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe që të bëhet këshilltare e përfaqësuesve të shtetit në çështjet për të cilat është kompetente.

I pyetur nëse Akademia sikur Kisha serbe, do të përkufizojë qëndrimin e vet ndaj Kosovës para se shteti ta kërkojë këtë, Hajdin tha se është shteti ai që duhet të vendosë “çfarë duhet të kërkojmë dhe çfarë mund të humbim”.

Sa i përket memorandumit famëkeq të Akademisë serbe nga viti 1986, siç transmeton Qik, Hajdin mohoi ekzistimin e tij, duke thënë se SANU ishte dënuar pa kurrfarë faji “për shkak të Memorandumit i cili kurrë nuk ka qenë produkt i këtij institucioni”.

“Kurrë, asnjë trup më i vogël i Akademisë serbe nuk e ka miratuar atë. Kanë qenë shkrime të disa anëtarëve të cilët edhe sot mund të shkruajnë”, tha Hajdin. /Telegrafi/