Site icon Telegrafi

Kreu i FFK-së reagon për sulmin me tritol ndaj Armand Dukës

Pas sulmit me mjet eksploziv, respektivisht me tritol drejt shtëpisë së presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) Armand Duka, ka reaguar presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.

Presidenti i FFK-së Ademi përmes llogarisë së tij “Facebook” e dënoi këtë akt, duke e cilësuar si ngjarje të rëndë për futbollin shqiptar dhe Shqipërinë si shtet në përgjithësi.

Më tej, presidenti kreu i futbollit kosovar i ofroi mbështetjen e tij dhe të komunitetit të futbollit kosovar presidentit Duka, duke kërkuar që sa më shpejtë të zbardhet ky rast.

Lexo po ashtu Duka publikon mesazhin kërcënues që mori në telefon: Më thanë të jap dorëheqje ose do më vrasin me 60 plumba në kokë

Më poshtë e gjeni reagimin e plotë (pa ndërhyrje) të Ademit:

I tronditur me lajmin që mbrëmë vonë është sulmuar me tritol shtëpia e presidentit të FSHF-së, Armand Duka në Durrës.

Akti i tillë kriminal e i shëmtuar përveç se ka shkaktuar frikë e tronditje në familjen Duka, pa dyshim është një ngjarje e rëndë edhe për futbollin shqiptar dhe Shqipërinë si shtet në përgjithësi, veçmas duke pasur parasysh faktin se z. Duka është edhe anëtar i KE të UEFA-s.

Fatmirësisht miku im Armand Duka dhe familja e tij janë mirë dhe kanë kaluar pa pasoja nga ky akt i njerëzve të ligë.

Familjes së tij i ofroj tërë mbështetjen time dhe të komunitetit të futbollit kosovar, me shpresë që kryerësit e këtij akti të vihen para drejtësisë dhe në të ardhmen të mos ballafaqohet me ngjarje të tilla. /Telegrafi/

Exit mobile version