Telegrafi

Kreu i CIA-s: Kina po shqyrton dërgimin e armëve në Rusi

Kreu i inteligjencës amerikane e njohur si CIA, William Burns, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë të bindura se Kina po shqyrton dërgimin e armëve vdekjeprurëse në Rusi, por deri më tani informacionet e inteligjencës nuk tregojnë nëse Pekini ka marrë përfundimisht këtë vendim.

“Jemi të bindur se udhëheqësia kineze po shqyrton furnizimin e Rusisë me armë vdekjeprurëse. Por nuk kemi parë nëse është marrë vendimi përfundimtar apo dëshmi për dërgimin e këtyre armëve”, shtoi drejtori i CIA-s, transmeton Telegrafi.

CNN të premten raportoi se Shtetet e Bashkuara kanë informacione nga inteligjenca, se qeveria kineze po shqyrton dërgimin e dronëve dhe municionit në Rusi, të cilat do të mund t’i përdornin në luftë në Ukrainë.

Lexo po ashtu Policët pro-rusë në Donetsk vriten me bombë nga ukrainasit, që ua hedhin nga droni

Kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara alarmojnë se Kina po mëton ta ndihmojë Rusinë në luftën në Ukrainë, e në veçanti që kur Moska u godit nga sanksionet e perëndimit.

Megjithatë deri më tani ka patur reagime të shumta nga zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët nuk kanë raporte të mira me Kinën që nga rrëzimi i balonës spiune kineze mbi hapësirën ajrore të Shteteve të Bashkuara. /Telegrafi/