Autoritetet shëndetësore dhe partitë politike e kanë dënuar deklaratën e kreut të BFI-së Sulejman Rexhepi, i cili gjatë ditës së djeshme e shpalli si të vdekur coronavirusin.
Ndaj deklaratës së tij, kanë ardhur reagime të shumta, ndërsa më i qartë ka qenë ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili thotë se virusi “as nuk ka vdekur, e as nuk ka kaluar”. Sipas Filipçes, masat do të jenë efektive vetëm nëse respektohen.
“Coronavirusi as nuk ka vdekur dhe as nuk ka kaluar. Ai është këtu dhe për fat të keq, problemi do të zgjatet deri sa ka të tillë që e injorojnë. Shumë herë e kam përsëritur dhe po e them përsëri, nëpunësit shëndetësor nuk munden të vetëm”, deklaroi Venko Filipçe.
Ndërsa nga Qeveria, thonë se nuk i komentojnë deklaratat e prijësve fetar, por theksojnë se pandemia nuk ka përfunduar dhe bëjnë thirrje për respektim të masave.
Kanë reaguar edhe partitë politike ndaj deklaratës së Sulejman Rexhepit, të cilat ftojnë për zbatim të mëtejshëm të masave.
Partitë shqiptare bëjnë thirrje që të ndiqen dhe të zbatohen rekomandimet e institucioneve shëndetësore si të vetmit që janë kompetentë për të dhënë vlerësime të tilla.
Ndryshe, kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi, pas faljes së Bajramit deklaroi se lufta me virusin është fituar dhe e shpalli atë të vdekur. Deklarata kontradiktore, kreu i BFI-së kishte dhënë edhe më herët që nga fillimi i pandemisë.
Ai u kërcënua se nëse shteti nuk e financon BFI-në gjatë krizës, vendi do të bëhet Bangladesh. Më pas, Rexhepi kërkoi nga autoritetet të lejojnë faljen e Bajramit duke i kujtuar se zgjedhjet janë afër.