Mesfushori i Kosovës U-21, Kreshnik Krasniqi, thotë se skuadra ka mësuar nga gabimet dhe e ka të qartë se çfarë loje do të bëjë kundër Andorrës U-21, në ndeshjen e vlefshme në kuadër të Grupit 3 për kualifikimet e Kampionatit evropian të grupmoshave nën 21 vjeç.
Përfaqësuesja nën 21 vjeç është nikoqire e Andorrës të grupmoshave të njëjta në stadiumin “Fadil Vokrri” në takimin që zhvillohet sot (e martë) me fillim nga ora 19:00.
“Sigurisht se i gjithë ekipi do të luftojë deri në minutën e fundit për të marrë rezultatin që duam. Synimi është që ta mbizotërojmë lojën dhe të japim gola.
“Besoj që kemi mësuar nga gabimet e shfaqura në ndeshjen e kaluar dhe do të bëjmë lojë edhe më të mirë”.
“E njohim Andorrën, janë ekip i fortë, por neve na mbetet që të jemi sa më kreativ në lojë dhe mendoj se kemi lojtarë kualitativ që dinë të krijojnë raste dhe t’i konvertojnë ato në gola”.
“Gjithsesi, Andorra është një shtet i vogël, por kanë ekip me temperament luftarak. Në ndeshjen e parë kundër tyre e kemi dominuar lojën dhe besoj se njëjtë do të ndodhë edhe tani”, ka deklaruar 19-vjeçari.
Theksojmë që Kosova U-21 do të luajë me disa mungesa, pasi që katër futbollistë dhe një anëtar i stafit kanë rezultuar pozitiv në testin për COVID-19. /Telegrafi/