Krerët e shtetit dhe partitë politike kanë uruar qytetarët për festën e 28 Nëntorit, Ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, daljen në publik të UÇK-së si dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.
Ata në mesazhet e urimit theksojnë se në këtë muaj të krenarisë kombëtare kujtohet dhe festohet e kaluara historike shqiptare.
Me këtë rast, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka uruar presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e 105 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i cili thotë se “ky muaj i krenarisë sonë kombëtare tregon më së miri, jo vetëm për historinë tonë të përbashkët, por edhe për lidhjen e pashkëputshme, sepse ndër shekuj i kemi qëndruar gjithmonë pranë njëri-tjetrit”.
Në telegramin e urimit për Presidentin e Shqipërisë, presidenti ka thënë se Kosova e Shqipëria, duke e mbështetur njëra-tjetrën, kanë arritur të garantojnë perspektivë të qartë euroatlantike për qytetarët e dy shteteve tona.
“Nëntori ka qenë dhe mbetet përherë muaj i lavdisë për shqiptarët anekënd botës dhe është muaj i festave tona të përbashkëta në më shumë se një shekull. Ky muaj i krenarisë sonë kombëtare tregon më së miri, jo vetëm për historinë tonë të përbashkët, por edhe për lidhjen e pashkëputshme, sepse ndër shekuj i kemi qëndruar gjithmonë pranë njëri-tjetrit. Kosova dhe Shqipëria, simotra të pandashme, duke e mbështetur njëra-tjetrën kanë arritur të garantojnë perspektivë të qartë euroatlantike për qytetarët e dy shteteve tona. Sot Kosova është me fat që e ka Republikën e Shqipërisë gjithmonë përkrah, sepse po mëson shumë nga përvoja shtetërore 105 vjeçare. Në Kosovë e Shqipëri, populli ynë do të mbetet përherë partner i të gjithë popujve që e duan një të ardhme në paqe dhe në prosperitet për rajonin dhe më gjerë. Jam i lumtur që 28 Nëntorin do ta festojmë sërish bashkë në Vlorën tonë historike!”, thuhet në telegramin e urimit.
Festat e Nëntorit shënohen edhe te kulla e Isë Boletinit.
Në Boletin aty ku tashmë gjenden eshtrat e patriotit Isë Boletini do të shënohen festat e nëntorit, 105 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, dalja në skenë e UCK-së para 20 viteve si dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari.
Ceremonia mbahet nën patronatin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli ku përveç fjalimeve dhe nderimeve që do të bëhen do të ketë edhe vizita të qytetarëve brenda kullës së Isë Boletinit.
Ndryshe, edhe partitë politike kanë uruar të gjithë shqiptarët me rastin e festës së 28 Nëntorit, duke theksuar ndër të tjera se sa herë vjen Nëntori, aty ku frymon shqip, kujtohet dhe festohet e kaluara heroike shqiptare. /Telegrafi/
Foto: Arkiv