Site icon Telegrafi

Krerët e shtetit urojnë për marrëveshjen Shkup-Athinë për emrin, e quajnë inkurajues për rajonin

Krerët e shtetit të Kosovës kanë uruar për arritjen e marrëveshjes Maqedoni-Greqi për zgjidhjen e kontestit rreth emrit shtetëror të Maqedonisë, duke e quajtur këtë si model inkurajues për të gjithë popujt në rajon.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se ky është një lajm i mirë për të dy vendet dhe për rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së.

Lexo po ashtu Zyrtarizon Zaev, Republika e Maqedonisë Veriore (Video)

“Në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës, e mirëpres marrëveshjen për çështjen e emrit në mes të Maqedonisë dhe Greqisë. Ky është një lajm i mirë për të dy vendet dhe për rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së. Është një mundësi e re për të forcuar edhe më shumë paqen dhe stabilitetin në tërë rajonin tonë”,  shkruan Thaçi.

Lexo po ashtu Austria dhe Britania e Madhe përgëzojnë marrëveshjen Shkup-Athinë për emrin (Cicërimë)

Edhe kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se marrëveshja e arritur ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë rreth emrit shtetëror të Maqedonisë është një lajm i jashtëzakonshëm dhe i shumëpritur për paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit.

Lexo po ashtu Krerët politik të Shqipërisë përshëndesin marrëveshjen Zaev dhe Tsipras, për emrin

“Ajo shërben si model inkurajues për të gjithë popujt fqinj, që t’i zgjidhin problemet e së kaluarës nëpërmjet dialogut dhe mirëkuptimit. Unë jam veçanërisht i gëzuar që falë saj Republikës së Maqedonisë Veriore po i zhbllokohet rruga drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Përgëzoj gjithashtu bashkëkombësit tanë në këtë shtet për këtë arritje si dhe i falënderoj ata për qëndrimin konstruktiv dhe pro-integrimit që kanë mbajtur vazhdimisht”, shkruan Veseli.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj i është gëzuar siç shkruan “lajmit të shumëpritur për arritjen e marrëveshjes historike për çështjen e emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë”

“Lidershipi i të dyja vendeve u tregua i vendosur dhe vizionar për të kontribuar në përmbylljen e një çështjeje të hapur të Ballkanit Perëndimor. Çdo lajm i mirë nga rajoni ynë, na përafron të gjithëve me strukturat dhe vlerat Euro-Atlantike të cilat bashkërisht i synojmë. Uroj që në këtë frymë konstruktive të përmbyllen të gjitha temat tjera historike të mbetura hapur nga e kaluara në Ballkan”, shkruan Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version