Site icon Telegrafi

Krerët e shtetit pa ide të qartë rreth procedimit të Demarkacionit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka shtyrë për një kohë të pacaktuar shqyrtimin dhe votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit, ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Kryesia e ka marrë këtë vendim për shkak të mungesës së konsensusit politik. Demarkacioni është marrëveshje ndërkombëtare, andaj për ratifikim e saj nevojiten 80 vota, apo dy të tretat e votave të deputetëve.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri se vonesa e shqyrtimit apo edhe votimit të Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, po i izolon edhe më shumë qytetarët dhe vendin në përgjithësi.

Ai thotë se drejtuesit e institucioneve të Kosovës ende nuk kanë ide të qartë për procedimin e Demarkacionit.

“Institucionet e Kosovës, asnjëherë nuk kanë pasur një agjendë të qartë praktike për integrimin evropian. Në shumicën e rasteve kanë qenë akterë pasivë dhe shpesh nuk i kanë kryer detyrat të cilat në mënyrë të qartë janë paraqitur nga BE-ja. Prandaj, edhe çështja e Demarkacionit është në këtë vazhdë. Është një obligim i papërfunduar, i cili e zhytë Kosovën në një paqartësi të madhe sa i përket rrugës evropiane”, tha Muhaxheri, për REL.

Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, tani për tani, praktikisht është i bllokuar në Kuvendin e Kosovës, për shkak të kundërshtimeve të një pjese të partive politike në pushtet, por edhe një pjese të opozitës.

Në këtë situatë, kërkohet një zgjidhje kreative, thonë zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, të cilët konfirmojnë se janë duke punuar për një zgjidhje të tillë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se tashmë është duke u shqyrtuar një ide për zgjidhjen e nyjës politike lidhur me ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Sipas tij, Marrëveshja e arritur nga të dy komisionet, të Kosovë dhe Malit të Zi, për demarkacionin e kufirit, lë hapësirë për të korrigjuar gabimet e mundshme që kanë mundur të ndodhin në variantin e parë të marrëveshjes, e cila tashmë është ratifikuar nga Mali i Zi, por pa u cenuar marrëveshja.

Ndryshe, Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, pritet që të martën të vizitojë Kosovën me ftesë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kjo vizitë pritet të ndodh në kohë kur Kuvendi i Kosovës pritet të deklarohet përfundimisht rreth Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila është nënshkruar në vitin 2015.

Këtë marrëveshje Kuvendi i Mali i Zi e ka ratifikuar, por jo edhe ai i Kosovës.

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës thanë të hënën se nga vizita e kryeministrit të Malit të Zi, Markoviq presin konfirmimin e vazhdimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Ata thanë po ashtu se çështja e Demarkacionit, nuk do t’i ndalë të dyja vendet drejt integrimeve euroatlantike.

Exit mobile version