Zyrtarët më të lartë shtetërorë të Kosovës kanë nderuar viktimat e atentatit të përgjakshëm që ka ndodhur më 14 korrik në qytetin jugor Nice të Francës.
Në këto ceremoni homazhesh, gjatë cilës u shfaqen pamje me viktimat e atentatit dhe u interpretua muzikë klasike, ishin të pranishëm presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, ambasadorja franceze në Prishtinë, Maryse Daviet dhe zyrtarë të institucioneve të ndryshme të vendit.
Ceremonia është organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.
Së paku 84 persona kanë humbur jetën në atentatin e 14 korrikut në Nice të Francës.
Atentati është kryer me një kamion, i cili ka goditur turmën e qytetarëve që po festonin Ditën Kombëtare të Francës.
Të nesërmen e atentatit tragjik, krerët e institucioneve të Kosovës u kanë shprehur ngushëllime dhe janë solidarizuar me popullin dhe shtetin francez.