Nën përkujdesjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në 20-vjetorin e rënies është përuruar shtatorja e heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit në Drenas, në sheshin që mban emrin e tyre.
Kjo ceremoni nisi duke i nderuar të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e kombit me një minutë heshtjeje.
Pjesëmarrës në ceremoninë e zbulimit të shtatores ishin presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe personalitete dhe zyrtarë tjerë nga Kosova e Shqipëria.
Presidenti Thaçi duke i konsideruar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin si emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se kontributi i tyre nuk ishte vetëm liria për Kosovën, por edhe për integrim në BE e NATO.
Kreu i shtetit tha se rënia e Fehmiut dhe Xhevës ishte mesazhi më i mirë se lufta do vazhdonte deri në çlirimin e Kosovës nga okupatori serb.
Nga ky manifestim Thaçi ka garantuar se në muajt e ardhshëm institucionet e vendit janë të gatshme të themelojnë Forcën e Armatosur të Kosovës.
“Kontributi dhe lufta edhe e Xhevës dhe Fehmiut nuk ishte vetëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për ta, por edhe për shumë ne është e pamjaftueshme që të jemi vetëm të lirë dhe të pavarur, ne duhet të integrohemi në NATO dhe BE, kështu që tani institucionet e Republikës së Kosovës janë në rrugë të mbarë të rregullt në koordinim me SHBA-të dhe NATO-n që në muajt e ardhshëm të themelojmë edhe Forcat e Armatosura të Kosovës dhe të fillojmë procesin e partneritetit për paqe dhe anëtarësim në NATO”, u shpreh ai.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, nuk patën fatin të kenë fëmijët e tyre, por me sakrificën e tyre, ata na lanë një trashëgimtar të paçmueshëm, lirinë e Kosovës.
Sipas tij figura dhe kontributi i këtyre dy heronjve mbetet i pavdekshëm, andaj çdo ditë do të vazhdojnë të punojnë për zhvillimin e vendit.
“Nuk kanë lënë fëmijë, por ata kanë lënë për fëmijët e Kosovës një trashëgimi të paçmueshme, e cila është vetë liria e tyre, të cilën ne sot e gëzojmë dhe është shtet i pavarur dhe sovran i Kosovës, i cili është amanet dhe trashëgimi për gjithë gjeneratat, të cilët do vijnë pas. Shteti unë i pavarur dhe sovran Kosova është krijesë e shenjtë për ne është shtëpia jonë, është e pacenuar, është sovrane, është unike dhe për të do të punojmë çdo ditë në mënyrë që askush jo vetëm që ta cenoj por në mënyrë të veçantë ta zhvillojmë“, ka deklaruar Veseli.
Kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh i gëzuar që sot Drenasit të lirisë i janë kthyer në përjetësi në shtatore heronjtë e kombit shqiptar Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.
Duke thënë se populli shqiptar kishte rrugën më të gjatë për liri, kreu i ekzekutivit të vendit u shpreh se i gëzohet edhe çdo suksesi të popullit shqiptar kudo që ndodhet.
“Ne i gëzohemi sukseseve të kombit tonë çdo ditë kudo që i arrijmë ato. Nuk ka dyshim që kudo që jemi sot shqiptar, por jo vetëm shqiptar liridashës i gëzohemi faktit se nën lindjen e tyre në Kosovën e lirë në Drenasin e lirë janë kthyer në përjetësi në shtatore heronjtë e kombit tonë, luftëtarët e shquar njerëz që e kanë gëzuar respektin e çdo bashkëluftëtari e çdo qytetari në ato kohëra të vështira, kushdo që ka pas nderi t’i njohë sado shkurt e dinë se kush ishin Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”, tha kreu i ekzekutivit.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta pas zbulimit të shtatores se Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit tha se mesazhi i tyre bashkimi i shqiptarëve për të ecur përpara.
Ai tutje u shpreh se nuk duhet harruar se një nga veprat e këtyre heronjve ishte pikërisht që e sollën NATO-n në Kosovë, në emër të lirisë së këtij populli, por edhe të sigurisë së Kosovës dhe gjithë rajonit.
“Trashëgimia më e madhe që Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, por edhe Jasharajt, Haradinajt dhe mbarë heronjtë e Kosovës kanë lënë është Kosova e lirë, Kosova e pavarur, Kosova evropiane dhe Kosova në NATO. Padyshim, që Kosova ka mjaft sfida të cilat ne besojmë se do t’i përballojë me sukses, nga liberalizimi i vizave që shpresojmë se do të ndodhë shumë shpejt, te ecja përpara e proceseve integruese në BE, padyshim edhe sa i takon anëtarësimit të saj NATO”, tha ai.
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci u shpreh se sot është realizuar një nga detyrat për personalitetin e Fehmi e Xhevë Lladrovci, heroit dhe heroinës së Kosovës.
Lladrovci, i cili njëherësh është edhe vëllai i Fehmiut, tha se rrugëtimi i heroit Fehmi Lladrovci dhe heroinës Xhevë Lladrovi zgjati 20 vite.
“Rruga e Fehës dhe e Xhevës deri në këtë shesh zgjati 20 vite, ishin vite edhe të rënda edhe plot mall, nga sot Feha e Xheva janë pjesë edhe e jetës tonë, këtu në shesh ashtu siç ishin dhe janë pjesë e idealeve tona për liri” , ka thënë ai.
Zbulimin e shtatores së heronjve e bënë pasardhësit e familjes Lladrovci dhe ish-drejtuesve të UÇK-së.
Gjatë kësaj ceremonie presidenti Thaçi ka nderuar me Medalje Presidenciale pas vdekjes babanë e Xhevë Krasniqit – Lladrovcit, Abdyl Krasniqit si dhe babanë e Fehmi Lladrovcit, Muhamet Lladrovcit.
Ndryshe, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci kanë rënë heroikisht gjatë luftimeve me armikun më 22 shtator të vitit 1998, në malet e Qyqavicës