Telegrafi

Krerët e FFK-së takuan trajnerët dhe stafin mjekësor të Kosovës, flitet për rikthimin e futbollit

Krerët e FFK-së kanë pritur në takim disa nga trajnerët ekipeve Kombëtare të Kosovës, me stafin mjekësor dhe me ekspertin e futbollit Ajet Shosholli.

Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësinë e rifillimit të kampionatit dhe për masat që duhet ndërmarrë, që gjithçka të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Me trajnerët u bisedua aspekti profesional i futbollit, derisa nga stafi mjekësor u mor mendimi i tyre në aspektin shëndetësor se si të veprohet. Stafi mjekësor i Kombëtares gjatë ditëve të ardhshme do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në mënyrë që të krijohet një protokoll se si të veprohet për çdo ndeshje dhe për masat që do të ndërmerren në rast të rifillimit të garave, e që më pas do t’u jepen udhëzimet e nevojshme stafeve mjekësore të klubeve”.

“Presidenti Ademi edhe gjatë këtij takimi ritheksoi se FFK po punon intensivisht për rifillimin e garave, por se gjithçka varet nga vendimi që do të marrin autoritetet e shtetit”.

“Ai ka bërë të ditur se FFK ka paraqitur shkresën në Ministrinë e Sportit dhe në atë të Shëndetësisë, si dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ku ka kërkuar nga këto institucione që ta shqyrtojnë edhe një herë mundësinë që futbollit t’i japin dritën e gjelbër për rikthim në aktivitet më herët se sa është planifikuar me masat e reja lehtësuese, duke filluar nga 10 maji me lejimin e ekipeve për stërvitje në grupe, e më pas me fillimin e garave më 24 maj me ndeshjet gjysmëfinale të Digitalb Kupës dhe më 30 maj me ndeshjet e mbetura të kampionatit”.

“Kjo sipas presidentin Ademi është mundësia e vetme që garat të rifillojnë dhe të përfundojnë në afatin e paraparë nga UEFA, institucion me të cilin drejtuesit e FFK-së janë në kontakte të vazhdueshme”, thuhet në njoftimin e FFK-së.