Telegrafi

Krerët e federatave në drekë zyrtare, presin lojë të fortë e spektakël futbolli në Bukuresht

Në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2024, që Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë sonte kundër Kombëtares së Rumanisë, në stadiumin “National Arena” në Bukuresht, në orën 20:45, presidenti i Federatës rumune, Razvan Burleanu ka shtruar drekë zyrtare për delegacionin e Federatës së Futbollit të Kosovës, në krye me presidentin Agim Ademi.

Në drekë ishte i pranishëm edhe presidenti i Federatës moldave, Leonid Oleinicenco. Numri 1 i futbollit rumun i shprehu mirëseardhje Kosovës në Rumani, teksa vlerësoi raportet tejet miqësore me kreun e FFK-së.

Ai theksoi se nuk do ta harrojë asnjëherë mikpritjen e ngrohtë në Prishtinë dhe vuri në pah raportet e mira mes dy federatave, por në përgjithësi me federatat e regjionit.

Burleanu po ashtu theksoi se pret ndeshje të fortë, duke pasur parasysh cilësitë e të dyja ekipeve, por edhe faktin që sot më shumë se loja të dyja ekipet kanë nevojë për rezultat për të shpresuar në kualifikim në Evropian.

Nga ana tjetër, presidenti Ademi e falënderoi homologun e tij për mikpritjen dhe u shpreh i bindur se ndeshja e sotme do të jetë një spektakël futbolli, pasi të dy ekipet synojnë rezultatin pozitiv.

Gjatë drekës u diskutua rreth bashkëpunimit ndërmjet dy federatave në segmente të ndryshme dhe rreth mundësisë së takimeve më të shpeshta mes federatave të regjionit, por edhe për historinë e dy vendeve. Në fund të drekës si zakonisht u shkëmbyen edhe dhurata, teksa të dy presidentët uruan për lojë të mirë e korrekte.