Krenare Sogojeva-Dermaku është zgjedhur komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, duke marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.
Sogojeva-Dermaku mori 65 vota nga 72 deputetë që ishin të pranishëm në seancë.
Në procesin e votimit, të cilin e bojkotuan partitë opozitare, kandidati Enver Bujari mori 5 vota, e kandidati tjetër, Edon Myftari një votë, ndërsa një ishte e pavlefshme.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar rikthimin e procesit në pikën zero, por kjo u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje e cila tha se “zhurma” e opozitës për këtë proces është e pakuptimtë. Ndërkohë në momentin e procesit të votimit nuk morrën pjesë asnjëra nga partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK, raporton KP.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila duke iu referuar deklaratave opozitare, shprehu keqardhje që të njëjtat kanë mbetur si dekor, por në të kaluarën edhe ata kanë qenë si dekor dhe janë mbivotuar në komisione.
“Gjithë kjo zhurmë dhe i gjithë ky insistim, unë shoqërinë civile e kuptoj e kanë aktivitetin e vet, por juve si grup politik që keni qenë në qeveri dhe e dini mënyrën e funksionimit pozitë-opozitë. Ka edhe deklarime se partitë opozitare se ne në komisione qenkemi veç dekor. Po më vjen keq që iu ka ardhur kjo ditë, por edhe ne dikur kemi qenë veç dekor, kemi votuar dhe mbi votuar në komisione. E njëjta ka ndodhur në pozita të caktuar për zyrtarë që janë votuar dhe kanë kaluar me vota të juaja”, tha Kusari-Lila.
Ndaj deklarimeve të Kusari-Lila ka reaguar deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, i cili tha se praktika të tilla të votimit nuk ka pasur asnjëherë në legjislaturat paraprake.
“Nuk ka pasur zgjedhje vetëm më 14 shkurt të këtij viti, duke pas parasysh se PDK me partnerët e koalicionit ka ndodhur që i kanë pasur 5 anëtarë në atë komision, por kurrë nuk ka ndodhur për të krijuar një panel intervistues që me qenë të gjithë deputetët e partive në pozitë… E di që lideri juaj është deklaruar shumë herë se do ta bëjë republikën e tretë, ndoshta janë këto përpjekjet e para për t’i prishur rregullat që janë krijuar më herët. Unë jam i sigurt se ka këtu deputetë që kanë qenë pjesë e opozitës, por ju zonja ushtruese e detyrës së shefes gati gjithë kohën keni qenë në pozitë”, tha Reçica.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se kandidati i përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje ka tri CV të ndryshme dhe nuk ka dokumente që dëshmojnë përvojën e punës, derisa tha se procesi nuk është bërë me mbikëqyrjen e britanikëve.
“Ky proces nuk është bërë me mbikëqyrjen e britanikëve, kjo tentativë e katërt është pa mbikëqyrjen e tyre. Është thjesht rekrutim nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të tjerët. Të tre kandidatët që kanë ardhur sot në Kuvend kanë qenë pjesë e konkurseve të kaluara. Është me rëndësi që kandidati më i poentuar nga deputetëve tri herë nuk ka mundur të vijë në Kuvend”, deklaroi Bajrami.
Kritika ndaj këtij procesi adresoi edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj.
“Kjo praktikë është ndërrim i praktikave të mëhershme të pjesëmarrjes në panele përzgjedhjes që ka pasur qëllim përzgjedhjen e kandidatit, i cili është i preferuar dhe i përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Lekaj.
Pas votimit të komisionarit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci mbylli punimet e seancës, pasi për pikën e fundit të rendit të ditës, propozim-rezoluta nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e COVID-19 nuk ishin të pranishëm iniciuesit e saj.