Telegrafi

Krenare Gashi hap sezonin koncertal në Gjermani

Sezoni i koncerteve në Pfaffenhofen, Gjermani fillon më 16 tetor. Dhe ky fillim bëhet me një mbrëmje këngësh të sopranos së re Krenare Gashi që mbahet në sallën historike të ndërtesës së Këshillit të Qytetit.

“Me sopranon e lindur në Prishtinë, Kosovë, Krenare Gashin, të dielën më 16 tetor në Pfaffenhofen vjen një artiste e re me famë ndërkombëtare”, shkruan portali hallertau.info. Programi i mbrëmjes së saj të këngëve që fillon në orën 20 në sallën e këshillit ofron një spektër të gjerë të këngëve nga repertori i muzikës klasike, transmeton albinfo.ch. Dhe këtu përfshihen kompozitorë si Brahmsi, Duparc, Rossini, Walton dhe Straus. Në pianon e madhe të sallës së komunës Krenaren do ta shoqërojë pianistja Susanna Klovsky.

Krenare Gashi ka studiuar solokëndimin në Prishtinë dhe në Shkollën e Lartë të Muzikës në Detmold, Gjermani. Pas diplomimit dhe specializimit për koncerte, në vitin 2011, ajo ka vazhduar studimet e mëtejme në Mineapolis, SHBA.

Në vitin 2006 këngëtarja tashmë 30 vjeçare qe shpërblyer me një bursë studimi të fondacionit Richard Wagner. Ajo qe bërë e njohur me suksesin në konkursin për solokëndim “Neuen Stimmen” të vitit 2007. Ndërsa në “Competizione dell`Opera” në Dresden ajo kishte marrë çmimin e dytë të jurisë dhe të parin të publikut. Po ashtu Krenare Gashi ka qenë gjysmëfinaliste në konkursin Placido Domingo Operalia.

Sopranoja Gashi posedon një repertor të gjerë si nga fusha e operës ashtu dhe e muzikës koncertale por edhe nga këngët spirituale. Me pasion të veçantë ajo i është përkushtuar këndimit të këngëve të muzikës klasike, përcjell albinfo.ch. Ajo tashmë ka dhënë koncerte me këngë, veç tjerash edhe në Ambasadën Gjermane në Tokio dhe në Chicago Culture Center.