Fasadat e jashtme të gjashtë shkollave në tërë Ballkanin Perëndimor u ndriçuan me të kaltër për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Jetesës së Bashku në Paqe.
Ndriçimi është pjesë e fushatës “Të rinjtë frymëzohen nga paqja”, me të cilën po kremtohen sukseset e projektit të UN-RYCO për bashkëpunimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor – “Mbështetja për lidershipin kolektiv të Ballkanit Perëndimor për pajtim: Ndërtimi i kapacitetit dhe tempit për RYCO-në”.
Sipas një njoftimi për media, shkollat që u ndriçuan janë: Gjimnazi “Stojan Cerovic” në Nikshiq; Shkolla me konvikte për fëmijë me nevoja të veçanta në të dëgjuar dhe në të folur “11 Maji” në Jagodinë; Qendra e Shkollës së Mesme “Nedžad Ibrišimović” në Ilijash; Shkolla e Mesme “Isa Boletini” në Vorë, Shqipëri; Shkolla e Mesme “Prenk Jakova” në Gjakovë; dhe SEPUGS “Vasil Antevski” Dren, në Shkup.
“Nxënësit dhe mësimdhënësit e këtyre shkollave janë pjesë e familjes së RYCO-së. Ata i realizuan këmbimet midis të rinjve, kontribuan në zhvillimin e metodologjisë për mësimin dhe dialogun ndërkulturor dhe e përfaqësojnë nocionin se arsimi zyrtar ka rol për të luajtur në bashkimin e të rinjve dhe mbështetjen e tyre në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes në rajon”, thuhet më tej në njoftim.
Ky projekt mbështetet nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Ndërtim të Paqes, në partneritet me UNDP-në, UNFPA-në dhe UNICEF-in në Shqipëri dhe po promovohet përmes fushatës “Të rinjtë frymëzohen nga paqja” që do të zhvillohet në mbarë rajonin gjatë majit të vitit 2021.