Site icon Telegrafi

Kremte e madhe për fundin e mbikëqyrjes

Heqja e mbikëqyrjes do të konfirmohet fiks pas një muaji nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues (GND), i cili do të mbajë një mbledhje në Prishtinë. Bazuar në një program preliminar për shënimin e kësaj ngjarjeje, Grupi do ta mbajë mbledhjen më 10 shtator në orën 13.00. Është paraparë që mbledhja të zgjasë diku një orë, shkruan “Koha Ditore”.

Në këtë takim, në nivel ministrash ose zëvendësministrash do të përfaqësohen Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika e Çekisë, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Polonia, Sllovenia, Zvicra, Suedia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjitha këto vende e përbëjnë GND-në, qëllimi parësor i së cilit ka qenë që të përkrahë implementimin e plotë të Planit të presidentit Martti Ahtisaari, mbi bazën e të cilit Kosova ka deklaruar pavarësinë më 17 shkurt të 2008-s.

Një burim ka thënë se “GND-ja do të nxjerrë konstatimin se Kosova i ka përmbushur kushtet e Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit” dhe se “do ta shpallë të përfunduar mandatin e Zyrës Civile Ndërkombëtare”.

Fundi i mbikëqyrjes do të bëhet efektiv disa çaste më vonë, në një seancë të Kuvendit të Kosovës, e cila parashihet t‘i fillojë punimet në orën 16:30 e ku do të flasin edhe Marti Ahtisaari, Frank Wisner dhe Wolfgang Ischinger. Në nesërmen, një konferencë ndërkombëtare do të mbahet në kryeqytet. Së paku tetë ministra të jashtëm do të jenë aty. /Telegrafi/

 

Exit mobile version