Telegrafi

Kremlini urdhëron mediet ruse të fshijnë hulumtimin e Alexei Navalnyt mbi ‘Pallatin sekret të Vladimir Putinit’

Rusia ka kërcënuar të paktën 10 medie që të fshijnë nga faqet e tyre hulumtimin e kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny mbi “Pallatin sekret” të presidentit Vladimir Putin.

Transmetuesi i pavarur Dozhd njofton se ka marrë urdhra për të larguar 6 artikuj. Radiostacioni Ekho Moskvy është urdhëruar të largoj 34 lajme, ndjekur nga Meduza me 17, Znak me 13 dhe Svobodnyie Novosti me 9 artikuj.

Disa media të tjera rajonale kanë marrë gjithashtu urdhra për të larguar këtë hulumtim.

Sipas medieve ruse, mbulimi i ngjarjes varionte nga një hulumtim i vitit 2017 që përfshinte kryeministrin e atëhershëm Dmitry Medvedev në një marrëveshje të paligjshme të pronave të paluajtshme, duke përfshirë “pallatin sekret” të presidentit Putin.

Lexo po ashtu Brenda 'pallatit sekret' të Vladimir Putinit që është në pronësi të FSB-së ruse

Mbikëqyrësi rus Roskomnadzor duke cituar Prokurorin e Përgjithshëm ka thënë se lajmet shpërndajnë materiale që i përkasin një “organizate ekstremiste”.

Ekipi i Navalnyt publikoi një hulumtim, i cili pretendon se Putini dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë kanë pastruar para për të ndërtuar një pallat në vlerë prej 1.3 miliard dollarësh në Det të Zi.

Videoja e publikuar lidhur me këtë hulumtim është shpallur nga YouTube si më e shikuara në Rusi. /Telegrafi/