Telegrafi

Kremlini: Sanksionet amerikane nuk do të ndalojnë tubacionin e gazit ‘Nord Stream 2’ për në Gjermani

“Shtetet e Bashkuara janë duke përgatitur sanksione për të ruajtur dominimin artificial të tregjeve evropiane dhe t’i shtyjnë anëtarët e Bashkimit Evropian të blejnë më shumë gaz amerikan mbi atë rus”, tha të mërkurën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Komentet e tij vijnë pasi ligjvënësit amerikanë votuan me shumicë dërrmuese për një paketë sanksionesh që do të synonin ndërmarrjet dhe menaxherët e përfshirë në ndërtimin e Nord Stream 2, një tubacion gazi 9,5 miliardë euro (10.6 miliardë dollarë) midis Rusisë dhe Gjermanisë.

Projekti gati i përfunduar, i kryesuar nga gjiganti shtetëror i energjisë Gazprom, do të dyfishonte në mënyrë efektive konsumin gjerman të gazit rus dhe do të dërgonte potencialisht miliarda euro për shtetin rus. Do të anashkalonte gjithashtu disa vende të Evropës qendrore, përfshirë Ukrainën, duke zvogëluar fuqinë e tyre negociuese gjatë krizave të gazit dhe duke i lënë ato pa tarifa fitimprurëse të tranzitit të gazit, transmeton Telegrafi.

Kompanitë amerikane gjithashtu janë të irrituar nga projekti pasi përpiqen të shesin gazin e tyre më shtrenjtë në tregun evropian.

Masat amerikane ende duhet të nënshkruhen nga Presidenti Donald Trump, përpara se të hyjnë në fuqi. Sidoqoftë, Trump nuk pritet t’i bllokojë ato.

Të mërkurën, Peskov, tha se sanksionet nuk do të pengojnë që Nord Stream 2 të bëhet operacional.

“Ne presim që ky projekt të përfundojë,” tha ai.

Politikanët gjermanë kanë sinjalizuar vërtet pakënaqësinë e tyre me sanksionet , duke thënë se ato do të rëndojnë gjithashtu marrëdhëniet midis Berlinit dhe Uashingtonit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha të mërkurën se kundërshtimi i Gjermanisë ndaj sanksioneve duhet të trajtohet përmes dialogut.

“Unë gjithashtu nuk shoh asnjë mundësi tjetër përveç mbajtjes së bisedimeve – bisedime shumë vendimtare – për të sqaruar se ne nuk i miratojmë”, tha Merkel para Parlamentit gjerman, Bundestag. “Ne jemi kundër sanksioneve”.

Tubacioni i Detit Baltik është vendosur të hyjë në territorin gjerman në qytetin bregdetar Greifswald në shtetin verior gjerman. Tubacioni pritet të fillojë transportimin e gazit në vitin 2020. /Telegrafi/