Lidhja Demokratike e Kosovës edhe një herë tjetër ka mbyllur dyert për Donika Gërvallën, kryetaren e degës në Gjermani, funksion të cilin LDK-ja po ia konteston.
Përveç Gërvallës, hyrja nuk i është lejuar as Shefqet Dibranit, kryetar i degës së LDK-së në Zvicër, pasi nuk kishin ftesa.
Megjithëse Vjosa Osmani ia dha ftesën e saj Gërvallës, kjo nuk mjaftoi për dy pjesëtarë të sigurimit. Trajtimin që i është bërë për herë të dytë Gërvallës, Vjosa Osmani e ka cilësuar si krim, raporton KTV.
Kuvendi, me delegatët brenda, ka filluar punë me fjalimin e kryetarit të LDK-së, njëherësh kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa. Ai ka folur për orientimin e kësaj partie, por edhe temat aktuale politike në vend, si demarkacioni me Malin e Zi, krijimi i asociacionit të Komunave me shumicë serbe si edhe performancën e ekzekutivit.
Pas fjalës së Mustafës, fjalën e ka marrë nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu, derisa mediat u larguan nga salla.
Vërejtje për mbarëvajtjen e kuvendit, por edhe zhvillimet brenda partisë, ka pasur kryetari i nderit i LDK-së, Fatmir Sejdiu, derisa disa veprime, si miratimi i raportit të punës për mandatin 2010-2014, që u miratua në këtë kuvend, për Sejdiun ishin qesharake.
Kryetari i LDK-së duke iu referuar rastit Gërvalla, tha të jetë i befasuar me prezenëncën e saj, derisa ka paralajmëruar zgjedhje në degët në Gjermani e Zvicër.