Me 49 vite e 3 muaj burgim, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë pesë të akuzuarit në rastin e njohur si “Badovci”.
Nën masa të rrepta sigurie të akuzuarit janë sjellë në gjykatë për t’iu kumtuar verdikti pas gati një vit gjykimi, raporton KTV.
Me akuzat se kanë kryer veprën penale ‘përgatitje e veprave terroriste’, gjykata dënoi Besnik Latifin me 13 vite burg, Gazmend Halitin me 12 vjet, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj dhe Enis Latifin me 10 vjet burg.
Ndërsa, Fehmi Musën gjykata e dënoi me 4 vjet burg për dhënien e ndihmës të akuzuarve të tjerë.
Vendimi për shpalljen fajtorë të pesë të akuzuarve ka bërë familjarët e pranishëm në sallë të shpërthejnë në lot.
Grupi u shpall fajtor nën akuzën se në korrik të vitit të kaluar, kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islamik”, i njohur si ISIS.
Të akuzuarve gjithashtu u ishin gjetur pushkë automatike, fishekë, uniforma ushtarake, maska për fytyrë, dorëza me flamurin e organizatës terroriste me mbishkrimin ISIS.
Ata ishin vërejtur nga rojat e sigurimit të liqenit, të cilët e kishin njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës, gjë që rezultoi me arrestimin e tyre.
Derisa gjykata shpalli aktgjykimin për pesë të akuzuarit në këtë rast, në arrati vazhdon të mbetet Betim Ibrahimi, i cili gjithashtu ngarkohet me veprën penale për përgatitje të veprës terroriste.
DONIKA BADOVCI 18 07 2016 from Koha.net on Vimeo.