Site icon Telegrafi

Krejt çka është duke ndodhur në protestën e “Revolucionit Laraman” (Foto/Video)

Sonte për dallim nga radhët tjera është vërejtur prani më e madhe e forcave speciale policore të cilët në kordonë e kanë bllokuar urën “Goce Dellçev” dhe selinë e partisë në pushtet OBRM-PDUKM, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Ndryshe mijëra demonstrues vërshuan para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë ndërsa përmes altoparlantit jehonte kënga „Në luftë populli maqedonas“.

Udhëheqësit e “Revolucionit Laraman” të quajtur “komando” me fanella në të cilët shkruante “Armata e Sorosit” e përqeshnin propagandën e mediave pro-qeveritare të cilët protestuesit i quajnë mercenarë të Sorosit.

Para qeverisë protestuesit dërguan porosi deri te qeveria dhe ish kryeministri Nikola Gruevski. Para të tubuarve u drejtuan shumë aktivistë dhe funksionarë të LSDM opozitare.

Savevski ishte i pari që publikisht iu falënderua të tubuarve për përkrahjen që ua dhanë aktivistëve të “E majta” deri sa ata ishin në paraburgim.

Tubimit iu drejtua edhe nënkryetarja e LSDM, Radmilla Sheqerinska duke thënë mes tjerash: „Krimi ka emër dhe mbiemër, kërkojmë përgjegjësi. Nuk mundet Gruevski të vazhdojë me drejtësinë nga defterët e tij. Gruevski doemos ti heq kanxhat nga të gjithë institucionet, patjetër të ketë dënim. Kërkojmë dorëheqje nga qeveria jolegjitime e cila vodhi gjithçka, jemi këtu që Maqedonia të bëhet vend i fëmijëve tonë“.

Zamir Mehmeti prej para Qeverisë i ka “përshëndetur” ish kryeministrin dhe ministrin e brendshëm Çavkov me ç ‘rast  demonstruesit i fishkëllyen.

Demonstruesit pas tubimit para Qeverisë vazhduan në drejtim të Kuvendit të Maqedonisë. Në këtë rrugëtim ata ndaluan para Ministrisë së drejtësisë dhe e “ngjyrosën” fasadën e ndërtesës së këtij institucioni. Ata me fishekzjarrë e kanë shprehur revoltën e tyre, përderisa disa nga protestuesit ia kanë thyer disa xhama të objektit të Ministrisë.

Pritet që demonstruesit së shpejti të arrijnë para ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë./Telegrafi/

9:30

Demonstruesit e “Revolucionit Laraman” këtë herë e ngjyrosën Ministrinë e drejtësisë me tuba. Për momentin “Laramanët” me ngjyrë po e torpedojnë ndërtesën e Kuvendit të Maqedonisë. Protestuesit brohorasin “Shutka nuk të ik Nikola”, duke aluduar në burgun e Shutkës, në Shkup.

Janë ndezur flakadanët para Kuvendit. „Nuk ju ik burgu“, „Vrasës“, po bërtasin qytetarët pjesëmarrës të protestës më masive të “Revolucionit Laraman”. Janë duke u hequr edhe dërrasat dhe hekurat përreth përmendores së Prometheut.

Gazetarët tonë nga terreni na bëjnë me dije se janë thyer edhe disa nga xhamat e Kuvendit.

Tani për tani protestat janë të qeta dhe policia ka hezituar të ndërhyjë./Telegrafi/

9:40

Demonstruesit e lidhën përmendoren e Prometheut ndërsa policia po përpiqet ti parandalojë ta rrëzojnë, situata bëhet gjithnjë më me tension ndërsa policia në këto momente ia ka dalë ti parandalojë protestuesit ta rrëzojnë përmendoren e Prometheut pasi që paraprakisht e ngjyrosën, duke përdorur me këtë rast edhe “shok bomba”./Telegrafi/

10:30

Protestat e sotme të “Revolucionit Laraman” gati se kanë përfunduar. Protestuesit dalëngadalë janë duke u shpërndarë. Përpos tensioneve të caktuara në përgjithësi protestat edhe sonte përfunduan pa ndonjë incident më serioz. Nga “Revolucioni Laraman” potencojnë se do të vazhdojnë me intensitet të njejtë me shprehjen e revoltës së tyre në ditët në vijim./Telegrafi/

Exit mobile version