Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka thënë se Kosova është bërë anëtare e rëndësishme në luftën kundër ISIS-it.
Ai këto komente i bëri në ditën e dytë të konferencës ndërfetare, që po mbahet në Prishtinë. Sipas kreut të ekzekutivit, në kuadër të këtyre përpjekjeve, vendi ka ndërmarrë masa ligjore ndaj individëve dhe grupeve ekstremiste, raporton KTV.
“As policia e as Gjyqësia nuk e kanë ilaçin kundër ekstremizmit, por Kosova po punon që të mos dorëzohet para gjuhës së urrejtjes dhe veprimeve të dhunshme”, ka deklaruar kryeministri Mustafa.
Ndërkohë, nobelistja për Paqe, Tawakkol Karman nga Jemeni, tha se Kosova është shembulli më i mirë për vendet të cilat duan ta ndalojnë luftën, duke shtuar se kushti që të mos ketë ekstremizëm dhe dhunë është garantimi i të drejtave thelbësore të njeriut.
Sipas nobelistes, mungesa e drejtësisë, varfëria dhe injoranca janë faktorët kryesorë të ekstremizmit dhe dhunës.