Kreditimi i ekonomisë u rrit përsëri në muajin korrik.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re për korrikun kishte vlerën e 29.3 miliard lekëve, me një rritje prej gati 31% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Edhe për 7-mujorin e parë të vitit, kredia është rritur me ritme të ngjashme dhe qëndron në nivelin më të lartë në nëntë vitet e fundit.
Për periudhën janar-korrik janë dhënë gjithsej 211 miliard lekë kredi të reja, me një rritje prej 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e shpejtë e kredisë këtë vit po mbështetet sidomos nga biznesi.
Kredia për bizneset në muajin korrik kishte vlerën e 20.7 miliard lekëve, 31% më shumë krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Edhe bilanci progresiv i 7-mujorit është në rritje. Kompanitë private përfituan gjithsej 149.5 miliard lekë kredi, me një rënie prej 44.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Bizneset po shfaqin kërkesë të lartë për kredi, sidomos në segmentin e korporatave, pjesërisht edhe falë angazhimit në projekte të partneritetit publik-privat. Nga ana tjetër, bankat po i përgjigjen kësaj kërkese, të mbështetura nga një gjendje e mirë likuiditeti dhe nga bilance të shëndetshme, që kanë rritur oreksin për rrezik.
Edhe kredia e re për individët në korrik vijoi rritjen e qëndrueshme, në linjë me tendencën positive të viteve të fundit. Kredia e re kishte vlerën e 8.4 miliard lekëve, në rritje me 31% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Edhe për 7-mujorin kredia e re ngelet të ndjeshme. Ajo arriti vlerën e 61.3 miliard lekëve, në rritje me 18% krahasuar me një vit më parë.
Kreditimi i individëve vazhdon të mbështetet sidomos te financimi i blerjeve të pasurive të paluajtshme.
Në fund të muajit korrik, edhe portofoli total i kredisë për ekonominë, shprehur si tepricë, vijoi rritjen. Ai arrit vlerën e 798.3 miliard lekëve, rreth 2.3 miliard lekë më shumë krahasuar me qershorin. Me bazë vjetore, rritja e kredisë arriti në 13.3%.
Rritja vazhdon të jetë më e lartë në segmentin e individëve, ku portofoli ka arritur vlerën e 309 miliard lekëve, në rritje me 13.6% krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa në segmentin e biznesit vlera e portofolit të kredisë arriti në 447.5 miliard lekë, në rritje me 12.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Telegrafi/