Telegrafi

Kredia rritet ngadalë

Sipas të dhënave të muajve të fundit kredia jo vetëm që nuk po rritet më shpejt, por përkundrazi po ngadalëson edhe më ritmet. Në periudhën qershor-gusht, kredia u rrit me vetëm 1.6 miliardë lekë, një ritëm ky dukshëm më i ulët se ai i muajve të kaluar.

Në terma vjetorë krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, kredia për ekonominë është rritur me 8.5 për qind, ose dy herë më pak nga periudha gusht 2008-gusht 2009.

Kredia po vazhdon të ngadalësojë edhe më ritmet edhe pse kriza e kaloi pikun e saj dhe bankat nuk kanë më probleme me likuditetin. Nga qershori në gusht kursimet në banka, u rritën me mbi 34.5 miliardë lekë, por vetëm 4.5 për qind e tyre shkuan për rritjen e kredisë.

Bankat tashmë janë duke bërë llogaritë me kreditë e këqija, të cilat kanë arritur gati 13 për qind e totalit, ose mbi 60 miliardë lekë. Edhe vetë në vrojtimet e saj Banka e Shqipërisë i cilëson kreditë e këqija si një nga shkaqet kryesore, të cilat po godasin kreditimin e ekonomisë.

Disa ekspertë thonë se ngërçi i kredisë mund të zgjasë, të paktën deri në fund të vitit, një situatë që ngadalëson investimet private dhe rritjen ekonomike. /Tch/Telegrafi/