Dizajnerja e njohur shqiptare, Lia Stublla, ka arritur një tjetër sukses të jashtëzakonshëm, duke u përfshirë në një artikull të revistës prestigjioze “Vogue”, e cila është një nga platformat më të njohura globale në botën e modës.
Në artikullin e saj, Vogue përshkruan karrierën 15-vjeçare të Lias dhe ndikimin e saj në industrinë ndërkombëtare të modës. Revista vlerëson krijimet e saj si të përjetshme dhe inovative, të cilat kanë ndriçuar tapetet e kuq në mbarë botën. “Me një përkushtim ndaj elegancës dhe inovacionit, marka LS arrin entuziastët e modës në çdo kontinent, duke ofruar transport ndërkombëtar”, shkruhet në artikull.
Vetë Lia e ka ndarë emocionin e këtij momenti në rrjetet sociale, duke reflektuar mbi rrugëtimin e saj si një artiste nga Kosova që ka ndërtuar një markë globale.
Ajo shkroi: “Para 15 vitesh, fillova me një ëndërr të thjeshtë – të krijoja dizajne që flasin përkohësinë dhe origjinalitetin. Nga vepra ime e parë deri te të shihja punën time në tapete të kuqe nëpër botë, çdo hap është udhëhequr nga pasioni dhe përkushtimi. Të jem pjesë e @voguemagazine është një moment i jashtëzakonshëm për mua, një kujtesë për të gjithë punën e palodhur, sfidat dhe besimin që kam pasur në këtë vizion. Ky nuk është vetëm një moment personal, por një reflektim i asaj sa larg ka arritur LS, dhe jam vërtet mirënjohëse për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij udhëtimi”.
Ky është një tjetër shembull se si talentet shqiptare po bëjnë jehonë në skenën ndërkombëtare, duke treguar potencialin e Kosovës si burim frymëzimi dhe krijimtarie.
Përfshirja në një revistë si “Vogue” jo vetëm që është një arritje personale për Lian, por gjithashtu një krenari për të gjithë shqiptarët. /Telegrafi/