Kreatori nga YouTube, Marques Brownlee ka kërkuar nga Threads që të integrojnë skedarin për kërkimin e postimeve të pëlqyera.
Ai nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Threads tha se ishte duke lexuar diçka interesante nga një person të cilin ai nuk e ndjek, por se nuk mund ta gjente më postimin në fjalë.
“Threads ka nevojë për një skedar të lehtë për të gjetur një postim që keni parë më herët. Ju mund t’i pëlqeni postimet, por nuk ka skedar për të parë atë që ju ka pëlqyer”, shkroi Marques, përcjell Telegrafi.
“Skedari i kërkimit momentalisht shfaq vetëm llogaritë dhe jo postimet. Pashë një postim të mrekullueshëm më parë nga dikush që nuk e ndiqja dhe tani është zhdukur”, vazhdoi tutje ai.
Ndërkaq Adam Mosseri, kreu i Instagram, aplikacionit që qëndron pas platformës Threads, iu përgjigj kësaj kërkese duke thënë se diçka e tillë është në listën e përditësimeve të cilat do të bëhen në të ardhmen.
Mosseri më herët kishte theksuar se shumë veçori kyçe të cilat momentalisht mungojnë tek Threads, do të shfaqen së shpejti.
Ndryshe, portalin Telegrafi mund ta ndiqni edhe përmes aplikacionit të ri ‘Threads’ – për momentin përmes dy profileve zyrtare, Telegrafi.com, si dhe Telegrafi Sport. /Telegrafi/