Megjithatë, markat vendore të modës nuk janë aq të pranueshme për tregun e përditshëm dhe preferohen më shumë nga personalitetet e famshme. Dy stiliste të reja nga Prishtina kanë vendosur ta ndryshojnë këtë.
Two N quhet shtëpia e tyre e modës në të cilën ato stilojnë koleksione të tipit ready-to-wear, të cilat i përshtaten edhe ngjarjeve ditore, por edhe atyre të mbrëmjes. Meqenëse janë në fillet e punës së tyre, me një koleksion debutues që pati mjaft sukses, ato mbajnë emrat e tyre anonim, ndërsa zbulojnë vetëm që kanë diplomuar në dizajn të modës dhe se vijnë nga kryeqyteti.
“Interesimi është shumë i madh, sepse janë gjëra unike, të cilat priten dhe qepen vetëm njëherë, pra vetëm një numër dhe një model, ndërsa tregut kosovar i mungon një brend i tillë”, rrëfejnë stilistet e reja për KosovaLive360.
Puna e tyre zuri fill në këtë sezon veror, kur ato publikuan koleksionin e parë të verës, një koleksion me funde të bukura me prerje gjeometrike dhe me ngjyra të veçanta.
“Të gjitha kreacionet tona janë të përditshme, duke filluar prej fundeve, duksave, bluzave e fustaneve. Çmimet janë të volitshme dhe i përshtaten standardeve të jetës në Kosovë”, pohon Two N.
Të gjithë ata të cilët janë të interesuar ta shohin punën e këtij ekipi, mund ta bëjnë përmes llogarisë në Instragram, “two.n”, si dhe në Facebook, si Two N.
“Nevoja për të pasur diçka unike në treg na ka frymëzuar të bëjmë diçka speciale dhe të rehatshme për femrat. Gjithashtu, pritet që në koleksionet e ardhshme të ketë veshje për meshkuj, pasi që kërkesat kanë qenë të larta”, pohon ekipi i kreatoreve kosovare.
Gjatë kësaj jave pritet që Two N të lansojë edhe koleksionin e dimrit, i cili do të përmbajë bluza, funde dhe duksa, ndërsa materialet do të jenë të përshtatshme për stinën e ftohtë.