Pak njerëz janë të informuar që ka dallime të mëdha midis pllakave nga guri i porcelanit (gres porcelan) dhe pllakave tradicionale të qeramikës nga argjila e kuqe. Para se të bëni zgjedhjen përfundimtare, ju sugjerojmë që të njiheni me karakteristikat dalluese, përparësitë dhe disavantazhet e këtyre dy llojeve të pllakave.
Pllakat për shtrim në dysheme dhe për veshjen e mureve ofrohen në një gamë të gjerë produktesh, andaj zgjedhja e opsionit të duhur për krijimin e dizajnit të përsosur nuk është e vështirë. Mirëpo larmia e gjerë e mundësive nuk sjell gjithmonë përfitime – nganjëherë bërja e zgjedhjes së duhur është e vështirë, për të gjetur një material me një cilësi vërtetë të lartë.
Përparësitë dhe disavantazhet e pllakave të qeramikës nga argjila e kuqe
Në të kaluarën këto pllaka kanë dominuar tregun e industrisë. Përparësitë e tyre janë: kostoja e ulët, pesha e lehtë si dhe lehtësia e instalimit. Ndërsa disavantazhet janë: absorbim i lartë i lagështisë që do të thotë rrezik nga myku nën shtresën e pllakës si dhe plasaritje në temperaturë të ulët.
Rezistenca e ulët ndaj rrezeve ultravjollce – me kalimin e kohës këto pllaka mund të zbehen ose të ndryshojë ngjyrën. Po ashtu kanë rezistencë të ulët ndaj abrazionit dhe me kalimin e kohës mund t’ju hiqet ngjyra.
Pllakat e qeramikës nga argjila e kuqe veçohen për brishtësi ekstreme, prandaj, gjatë transportit dhe instalimit duhet patur kujdes sepse thyhen lehtë.
Përparësitë dhe disavantazhet e pllakave të qeramikës nga guri i porcelanit
Pllakat nga guri i porcelanit i tejkalojnë konsiderueshëm, për nga cilësia, ato me argjilë të kuqe. Për shkak të porozitetit të ulët, këto pllaka e zmbrapsin lagështinë, i rezistojnë ngricave dhe e parandalojnë shfaqjen e mykut.
Ky material karakterizohet edhe nga rezistenca e lartë ndaj nxehtësisë dhe abrazionit. Pllakat nga guri i porcelanit janë rezistente ndaj zjarrit. Instalimi i kësaj pllake në vende publike me frekuencë të lartë të qarkullimit nuk paraqet problem – madje disa vjet pas instalimit, pllaka do të jetë në formën e saj origjinale.
Pllakat nga guri i porcelanit janë të lehta për t’u mirëmbajtur dhe nuk kanë “frikë” nga detergjentet gërryes, alkalik dhe acidik. Kjo pllakë nuk zbehet nën ndikimin e rrezeve ultravjollce.
Struktura e pllakave
Pllakat me argjile të kuqe janë të holla dhe të dimensioneve të vogla. Në prodhimin e tyre përfshihen disa përbërës të ndryshëm.
- argjila e klasave dhe llojeve të ndryshme;
- feldspar ose pegmatit, që i japin produktit ngurtësinë, besueshmërinë si dhe
- pigmente për t’i dhënë nuancë
Përbërja e pllakave nga guri i porcelanit dhe procesi i prodhimit të tyre dallojnë.
Sepse përbëhen nga elementet e mëposhtme:
- sasi të vogla balte të bardhë;
- kaolinë;
- rërë silikati;
- feldspar;
Pllaka nga guri i porcelanit vetitë e saj unike të forcës i merr gjatë procesit të pjekjes. Për ta arritur këtë temperatura në furrë ngrihet në 1300 gradë dhe gjatë pjekjes komponentët bashkohen me njëri-tjetrin. Presimi i lartë (rreth 600 kilogram për 1 cm2) e zvogëlon porozitetin e materialit dhe rritë rezistencën ndaj lagështisë dhe ngricave.
Vlen të përmendet se pllakat nga guri i porcelanin mund të prodhohen në dimensione më të mëdha se ato me argjilë të kuqe dhe në këtë mënyrë mund t’i japin sipërfaqes një efekt monolit (pa fuga).
Fushëveprimi i aplikimit
Përdorimi i pllakave me argjilë të kuqe është gjithnjë e më i rrallë, ngase vetitë e tyre janë inferiore ndaj pllakave nga guri i porcelanit. Sidoqoftë, nëse dëshironi, pllakat me argjile të kuqe ende mund t’i përdorni për veshjen e mureve të brendshme.
Duke qenë se pllakat nga guri i porcelanit janë të qëndrueshme ato përdoren në vende ku përveç cilësive dekorative rëndësi të madhe i kushtohet edhe rezistencës së veshjes.
Nëse flasim për dizajnimin e mureve të jashtme të objekteve, atëherë nuk ka asnjë material më të përshtatshëm sesa pllakat nga guri i porcelanit (gres porcelani). Falë vetive të këtij materiali nuk keni pse të shqetësoheni për gjendjen e fasadës, madje edhe në kushte të ngricave të mëdha, zjarrit apo ndikimit të rrezeve ultravjollce.
Struktura e veçantë e pllakave nga porcelani lejon përdorimin e tyre edhe në veshjen e oxhakut. Shpesh, pllakat nga porcelani shërbejnë edhe si material praktik për dizajnimin e dyshemeve dhe mureve, dizajnimin e ishullit në kuzhinë, banjës, verandës, etj.
Cila është zgjedhja më e mirë ?
Siç mund ta shihni, ndryshimet midis pllakave nga guri i porcelanit dhe pllakave nga argjila e kuqe janë shumë domethënëse. Kështu qe para se t’i zgjidhni pllakat, ju sugjerojmë t’i merrni parasysh faktorët e lartpërmendur.
Për më shumë informata rreth produkteve vizitoni faqen tonë