Në 100 ditët e para të punës së qeverisë, 90 nga të cilat ishin ditë pune, Kryeministri Ramush Haradinaj ndërroi shumë kravata.
KALLXO.com duke u bazuar në faqen zyrtare të kryeministrit ju sjell kravatat që mbajti Haradinaj në secilën nga 90 ditët e punës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në 100 ditët e para të qeverisjes së tij ka marrë vendim që t’ia rrisë qind për qind pagën edhe vetes.
Për ta arsyetuar këtë vendim, tri ditë më parë në televizionin publik ai tha se i duhen para edhe për të blerë ndonjë kravatë.
“1300 euro për mua, po mos t’i kisha të hyrat tjera që i kam, ta zëmë qiranë…unë obligohna një kravatë, unë s’muj tash gjithqysh me dalë, obligona një këmishë. Duhet me qenë në nivel të përgjegjësisë”, tha Haradinaj.
Por, menjëherë pas kësaj deklarate, shoqëria civile, me iniciativën e Kushtrim Mehmetit u organizuan që të mbledhin kravata për kryeministrin.
Dje, po ky grup në aksion simbolik i lanë në rrethojat e qeverisë rreth 300 kravata.
E nëse Kryeministri nëse do të vendoste t’i përdorte të gjitha kravatat donacion, i bie që në vitin 2018 nuk do të kishte nevojë të shpenzonte asnjë cent për blerje kravatash.
“I kemi vendosur kravatat në këto rrethoja për shkak se kryeministri ka nevojë t’i shohë ato. Ndoshta edhe nuk i pëlqejnë, ato që nuk i pëlqejnë mund të na i kthejë mbrapshtë. Ne do t’ia zëvendësojmë”, tha dje Mehmeti.
Por, vetëm pak kohë pas dorëzimit të tyre, kravatat u “zhdukën” nga sheshi, e këshilltari për media i Kryeministrit, Halil Matoshi kur u pyet nëse kravatat i ka marrë shefi i ekzekutivit, i tha KALLXO.com se qeveria nuk merret me pastrimi e shesheve.