Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka qëndruar sot për vizitë në Hagë, ku ka takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi ka theksuar se për Thaçin dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kjo është një betejë e re, ku liria po mbrohet me qëndresë dhe dinjitet.
“Presidenti Thaçi, si gjithmonë, i qetë dhe i palëkundur. E di se e vërteta nuk mund të burgoset përgjithmonë. Me të njëjtën energji dhe optimizëm, foli për Kosovën, për rrugën tonë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë – e cila gjithmonë kërkon sakrificë dhe angazhim të pandalshëm”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka shtuar se, pavarësisht padrejtësisë që po u bëhet të akuzuarve, ata mbeten të vendosur dhe besojnë se drejtësia do të triumfojë.
“Asnjë ankesë, asnjë shenjë hidhërimi – edhe pse padrejtësisht i mohohet e drejta për të parë babanë e tij të sëmurë. Vetëm një besim i palëkundur se drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë,” ka shtuar ai.
Krasniqi ka përfunduar mesazhin e tij me fjalët “Dhe kur nata të kalojë e hija e padrejtësisë të shembet – me dritën e së vërtetës dhe të lirisë – Dielli do të lindë përsëri!”./Telegrafi/