Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar familjen e ish presidentit Hashim Thaçit dhe familjen e Kadri Veselit.
Krasniqi ka thënë se malli i familjarëve të Thaçit dhe Veselit është i madh por më e madhe është krenaria që ata kanë për ta.
“Në Burojë të Skenderajt dhe në Bair të Mitrovicës, vizitova familjet e dy liderëve tanë të pamposhtur – Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët tashmë një vit po mbahen në Hagë. Në këto shtëpi ku buron atdhedashuria, në këto familje ku janë formësuar përpjekjet për liri e pavarësi, gjithmonë gjejmë derën hapur e frymëzimin për të mos u dorëzuar përballë sfidave për ta çuar Kosovën përpara. Malli e dëshira për kthimin e bijve të tyre është e madhe, por më e madhe është mburrja e krenaria që kanë për ta. Sepse këto familje kanë rritur djem çlirimtarë, që mision jetësor e kanë pasur dhe e kanë Kosovën e lirë dhe të zhvilluar, ka shkruar Krasniqi.
Kreu i PDK-së theksoi se e vërteta për luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e patjetërsueshme e nuk mund të deformohet kurrë”.
“Fitorja e betejës së fundit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe bashkëluftëtarëve të tyre për ta dëshmuar pastërtinë e kësaj lufte do të jetë vulë e historisë së lavdishme të vendit tonë”, është shprehur Krasniqi në postimin në Facebook. /Telegrafi/