Krasniqi është dashur të luftonte për titull të botës në kategorinë gjysmë të rëndë të versionit WBO me Cleverlyn më 16 mars, por meçi është shtyrë për 20 prill. Meçi u shty me kërkesë të uellsianit Cleverly, që u arsyetua se ka pasur probleme shëndetësore. Krasniqi fillimisht refuzoi që meçi të shtyhet, por më vonë u detyrua të pranojë këtë. Ai ishte përgatitur intensivisht për 16 mars.
"Shtyrja e duelit më ka shqetësuar me të vërtetë, por nuk besoj se do të ndikojë kur të ngjitem në ring. Cleverly nuk do ta ketë lehtë. Normalisht se me shtyrje është zgjatur koha e stërvitjeve dhe më duhen shumë gjëra të përsëris, por kështu e ka boksi profesionist", ka thënë Krasniqi të enjten për Kohën Ditore.
Junikasi 26-vjeçar në boksin profesionist njihet me emrin Robin. Ai ka 39 fitore e dy humbje të pësuara në fillim të karrierës. Më herët Krasniqi ka mbajtur titujt WBO European dhe WBO International të cilët i liroi që të boksojë për titull të botës. /Telegrafi/