Gjatë muajit janar ka rënë numri i qytetarëve të Kosovës të prekur me COVID-19 që kërkojnë trajtim spitalor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe Spitalet e Përgjithshme. Por ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi thotë se ngjarjet e fundit si fushata zgjedhore dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, mund të ndikojnë në rritjen e rasteve me coronavirus në vend.
Krasniqi tha se meqenëse tashmë ka rënë numri i pacientëve me coronavirus që janë duke u trajtuar në QKUK, është liruar edhe Klinika Internistike dhe së shpejti do nis trajtimi i pacientëve jo Covid në këto klinika.
“Kemi një numër realtivisht më të ulur në krahasim me javët e kaluara dhe kjo po na mundëson që të rikthejmë shërbimet tjera, ashtu siç kemi bërë me shërbimet e Ambulancat Specialistike dhe nga kjo javë ne kemi liruar edhe Klinikat Internistike, njësia COVID-3 që quhej dhe tani jemi në proces të pastrimit, dezinfektimit dhe përgatitjes që edhe ato klinika të rikthejnë shërbimet e tyre dhe të kthejnë shërbimet për pacientët jo Covid”, tha ai.
Meqenëse vendet e botës tashmë janë duke u përballuar me shifra të larta të qytetarëve të infektuar me COVID-19, u.d të drejtorit të SHSKUK-së për KosovaPress, thotë se këtë situatë po e përcjellin me shqetësimë, pasi që ngjarjet që e presin vendin mund të ndikojnë në rritje të rasteve me coronavirus.
“Ne po e përcjellim me shqetësim situatën epidemiologjike edhe në vendet në rajon dhe është më të vërtetë një situatë jo e mirë për të mos thënë një situatë e rënduar sa i përket rikthimit të rasteve, fatmirësisht ne si Kosovë kemi një numër relativisht të ulur do dëshironim që qytetarët të vazhdojnë t’i respektojnë masat në masë të madhe, por ngjarjet që i kemi përpara në vazhdim si Kosovë janë shqetësuese dhe mund të ndikojnë në rritjen e rasteve sërish”, tha ai.
Krasniqi tha se nga 5 janar kur janë rifunksionalizuar shërbimet në Ambulancat Specialistike interesimi i pacientëve është i madh.
“Ne me 5 janar rikthyer shërbimet specialistike në kuadër të Ambulancave Specialistike në këtë ndërtesë dhe vërehet që ka nevojë shumë, ka numër që kërkojnë ndihmë dhe deri më tani e kemi një mesatare prej rreth 130 pacientëve në ditë që marrin shërbime specialistike”, u shpreh Krasniqi.
Derisa shprehet optimistë që tashmë Kosova ka bërë një plan për mënyrën e organizimit të vaksinimit kundër COVID-19, u.d të drejtorit të SHSKUK, Valbon Krasniqi beson se vetëm vaksinimi i gjithë popullatës mund të ndikojë në menaxhim të pandemisë.
“Është me rëndësi që të bëhet vaksinimi i përgjithshëm i popullatës, pra vaksinimi i një numri të vogël të qytetarëve, qoftë personel shëndetësor apo qytetarë të tjerë, të moshuar apo me sëmundje kronike nuk është që mund të ketë efekt të madh në menaxhimin e pandemisë. Prandaj, ne presim që vaksina të arrijë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të filloj vaksinimi i përgjithshëm i popullatës”, u shpreh Krasniqi./Telegrafi/