Site icon Telegrafi

Krasniqi: Vaksinën kundër COVID-19, shpresojmë ta kemi në muajt e parë të vitit 2021

Ushtruesi i detyrës së SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se edhe Kosova ka përvetësuar optimizmin e shteteve që po thonë se janë në etapat e fundit të pandemisë pas aprovimeve të vaksinës kundër COVID-19.

Ai ka thënë se edhe pse nuk ka një datë të saktë se kur do të vijë vaksina në Kosovë, meqë kjo është detyrë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së, vaksina pritet të jetë e disponueshme në muajt e parë të vitit 2021.

“Shpresojmë që shumë shpejt që përmes vaksinizimit të vijmë te përfundimi i pandemisë. Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja kanë bërë përpjekje për të arritur te sigurimi i vaksinës. Pra, unë s’mund ta them saktë, por shpresojmë ta kemi në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

“Virusi ka qenë shumë i panjohur sepse s’është paramenduar që kjo pandemi të zgjasë kaq shumë. Edhe OBSH i ka ndërruar qëndrimet disa herë dhe ende ka shumë të panjohura për këtë virus, sidomos tani pas mutacioneve të paraqitur. Ky virus ka arritur që të mbijetojë një vit dhe pak njeh historia një virus që zgjat kaq shumë”.

Krasniqi në Info Magazine ka thënë se ka një garë mes shteteve të mëdha dhe të vogla në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, por se Kosova nuk do të mbetet jashtë saj.

Ai ka apeluar te të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin edhe vaksinën kundër gripit sezonal për të ndihmuar në imunizimin e popullatës.

Ndërkaq, për dyshimet se a duhet marrë ose jo vaksina, Krasniqi ka thënë se kjo nuk duhet të jetë më çështje dhe si arsye dha se çdo bar ka efekte anësore, por që s’do të thotë se nuk duhet konsumuar.

Krasniqi ka folur edhe për situatën aktuale me epideminë në spitalet e Kosovës duke njoftuar se ajo është më e qetë aktualisht, megjithëse ka një numër të madh të të hospitalizuarëve.

“Periudhën më të ngarkuar e kishim javën e fundit të nëntorit ku kishim 1010 pacientë. Sot ka rënë ky numër në 650 të hospitalizuar, por edhe ky numër është i lartë për kapacitet tona. Është dashur të bëjmë një riorganizim të stafit shëndetësor. Tani kemi shtuar më shumë se 1000 infermierë dhe qindra mjekë që merren me trajtimin e pacientëve me COVID-19”.

Krasniqi njoftoi se mungesa e ilaçit Fraxiparinë nuk është më problem, meqë janë furnizuar në dy ditët e fundit me sasi të mjaftueshme.

Exit mobile version