Telegrafi

Krasniqi uron Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave: Tani radha për heqjen e vizave për Kosovën

Foto: Arkiv

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi ka thënë se ky është një proces më se i merituar.

Deputeti i PDK-së shtoi se të dyja vendet, me punë, angazhim e vetëmohim, kanë dëshmuar se janë gati dhe e meritojnë shansin historik për anëtarësim në BE.

“Urime e përgëzime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.  Një proces më se i merituar për të dy vendet, të cilat, me punë, angazhim e reforma, kanë dëshmuar se janë gati dhe e meritojnë shansin historik për t’u bërë pjesë e BE-së”, ka thënë Krasniqi.

Ai theksoi se është lajm i mirë që Bashkimi Evropian, pas shumë vonesave, herë të kuptueshme e herë jo, më në fund ka vendosur që në Ballkanin Perëndimor të rikthej shpresën dhe optimizmin.

“Uroj që besimi i rivendosur në mes të BE-së dhe rajonit tonë sot, të avancoj edhe me liberalizimin e shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës – si një e drejtë themelore dhe e merituar tash e sa vjet”, ka deklaruar Krasniqi.

Lexo po ashtu Tirana dhe Shkupi hapin negociatat e anëtarësimit, Rama: Falënderoj popullin shqiptar që nuk u dorëzua në aspiratat drejt BE-së

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria më 19 korrik hapin zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, tha se ky është moment historik dhe shtoi se të dyja shtetet kanë kryer reformat e duhura për të nisur negociatat e anëtarësimit në bllok.

“Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po hapin negociatat për anëtarësimin në BE. Ky është suksesi juaj dhe i qytetarëve tuaj, që keni punuar kaq shumë për të arritur këtu dhe keni treguar jashtëzakonisht përkushtim për vlerat tona, keni treguar këmbëngulje dhe keni pasur besim te procesi i anëtarësimit”, tha von der Leyen, gjatë një konference për media në Bruksel.

Maqedonia e Veriut ka marrë statusin e vendit kandidat më 2005 dhe Shqipëria më 2014. Por, nisja e negociatave u bllokua për shkak të mosmarrëveshjeve për historinë dhe gjuhën mes Shkupit dhe Sofjes./Telegrafi/