Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar qytetarët me rastin e festës së Krishtlindjeve.
Ai gjithashtu ka bërë pjesë në pritjen e organizuar nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren – Prishtinë, imzot Dodë Gjergji, në qendrën “Bogdanipolis” të Katedrales Shën Tereza në Prishtinë.
“Krishtlindje t’bardha! Sonte kisha kënaqësinë që të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren – Prishtinë, imzot Dodë Gjergji, në qendrën “Bogdanipolis” të Katedrales Shën Tereza në Prishtinë me rastin e Krishtlindjes!”.
“Ipeshkvin e urova për festën e madhe të Krishtlindjes, e përmes tij edhe të gjithë qytetarët e besimit katolik në Kosovë. Shëndet, harmoni, paqe dhe shumë begati për ju dhe familjet tuaja. Gëzuar!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kisha Katolike në Kosovë, përkatësisht Dioqeza Prizren-Prishtinë ka organizuar pritjen solemne me rastin e Festës së Krishtlindjes 2022.
Ipeshkvi i Dioqezës, Imzot Dodë Gjergji ka uruar festën e Krishtlindjes të gjithë të pranishmëve duke uruar paqe para konfliktit.
Në këtë pritje solemne morën pjesë edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, si dhe deputetë të partive të ndryshme dhe personalitete fetare e kulturore. /Telegrafi/