Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij po ikin nga përgjegjësitë që kanë karshi nevojave të qytetarëve në këtë peiudhë tragjike të shkaktuar nga keqmenaxhimi i pandemisë.
Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se mos përgjigja e Kurtit ndaj letrës së dërguar 1 javë më parë ku i ka shprehur nevojën e bashkimit të spektrit politik për luftën ndaj pandemisë, tregon se kryeministri po ikë nga përgjegjësisia, nga qytetarët dhe nga pacientët.
“Kam besuar se, ndonëse i paaftë për ta menaxhuar këtë krizë, ai vërtet është i shqetësuar për situatën e rënduar me pandeminë, duke llogaritur se si një front i përbashkët – sepse nuk kemi dhe s’duhet të kemi betejë politike për pandeminë – mund të gjejmë zgjidhje për të plotësuar shumë nevoja emergjente, përfshirë ndryshimet e Ligjit të Buxhetit, ku do të reflektoheshin këto nevoja.
Megjithatë, Kryeministri Kurti nuk u bë i gjallë. As në letra, as në terren”, u shpreh kryetari i PDK-së.
Tutje shtoi se Kurti nuk po qëndron as “As në Qeveri, as pranë qytetarëve, e as pranë pacientëve”.
“Ne e dimë që nuk jemi atraktivë për të, sepse postulatet ideologjike e seminarike nuk mund t’i shesë në PDK. Megjithatë, kemi besuar se ka aq integritet e përgjegjësi politike sa për ta bërë prioritet themelor trajtimin e gjendjes me pandeminë”, tha Krasniqi.
Sipas tij, ky dezertim nga përgjegjësia po u kushton qytetarëve të Republikës së Kosovës, për çfarë ne nuk mund të rrimë indiferentë.
“Një Kryeministër i përgjegjshëm do të duhej ta linte anash disponimin e keq elektoral me të cilin përballet, e të fokusohej në përgjegjësitë qeverisëse, sepse qytetarët kanë nevojë sot më shumë se kurrë që të mbështeten në institucionet e tyre”.
“Unë besoj që duhet të bëhemi bashkë përtej pushtetit, përballë këtij rreziku që po merr dhjetëra jetë njerëzish për çdo ditë. Tash dhe menjëherë”, ka shkruar në fund Krasniqi./Telegrafi.