Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë sot se tri komuna të cilat udhëhiqen nga kryetarët e PDK-së, Drenasi, Ferizaj dhe Prizreni, sot janë shpallur kampione për transparencë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Krasniqi shkruan në Facebook se këto suksese të komunave tona nuk janë më një risi – por rezultate të një pune profesionale, efikase dhe në shërbim të qytetarëve.
“Me mbi 90 % të pikëve të grumbulluara kanë dalë edhe katër komuna të tjera që udhëhiqen nga PDK-ja, Skenderaj, Kaçaniku, Mitrovica e Jugut dhe Vushtrria, ndërsa edhe Hani i Elezit është pozicionuar afër tyre. I përgëzoj kryetarët e komunave tona për përkushtimin e tyre në shërbimin publik”, tha ai.
Kryetari i PDK-së thekson tutje se modeli i qeverisjes që e vendos interesin qytetar në qendër, i zbatuar nga PDK, po rikonfirmohet vit pas viti si modeli më i suksesshëm në vend.
“Asgjë më pak se punë, projekte konkrete, transparencë e përmirësim të mirëqenies së qytetarëve!”, shkruan ai.
Ndryshe, sot Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ndarë mirënjohje për komunat më transparente. /Telegrafi/