Prishtina sot takohet me Ballkanin në ndeshjen e xhiros së pestë të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.
Kjo është sfida e parë e Prishtinës që e zhvillon në stadiumin “Fadil Vokrri” për këtë edicion andaj dueli po pritet me shumë entuziazëm në kryeqytet dhe jo vetëm.
Prishtina vjen në këtë sfidë pas dy fitoreve dhe një barazimi dhe renditet në pozitën e tretë me shtatë pikë të tubuara, ndërkohë që Ballkani në dy ndeshje të zhvilluara i ka arkëtuar gjashtë pikë.
Ylli i Prishtinës, Endrit Krasniqi, i cili edhe në këtë edicion po mahnit me paraqitjet e tij në fushat e futbollit kosovar, ka thënë për faqen zyrtare të klubit kryeqytetas se pret që të dielën në dritën e reflektorëve dhe me stadiumin e mbushur me tifozë, Prishtina të korr fitore ndaj Ballkanit.
Rëndësia e ndeshjes – “Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat. Ne jemi të koncentruar në ekipin tonë në mënyrë që ta vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive”.
Përgatitjet – “Gjatë javës kemi punuar dhe stërvitur shumë mirë. Atmosfera është shumë e mirë si dhe grupi është shumë i bashkuar duke filluar nga drejtuesit, stafi dhe ne futbollistët”.
Përparësia e Prishtinës ndaj Ballkanit – “Konsideroj se përparësi e jona është se zhvillohet ndeshja e parë si vendas në këtë edicion në stadiumin “Fadil Vokrri” që për neve është motiv të luajmë në shtëpinë tonë. Besoj se tifozët tanë “Plisat” dhe qytetarët e Prishtinës do të na përkrahin maksimalisht që atë përkrahje të kthejmë në energji pozitive dhe në fund shpresoj se do të dalim me pikë të plota”, tha Krasniqi. /Telegrafi/