Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka komentuar situatën e krijuar politike, pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ai ka treguar se cili është qëndrimi i PDK-së, për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Partia Demokratike e Kosovës, është plotësisht e gatshme për procesin zgjedhor dhe pret caktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve, pas shpërndarjes së Kuvendit”, ka thënë Krasniqi.
Gjithashtu, ai është deklaruar edhe rreth koalicioneve të mundshme parazgjedhore.
“Në fokusin tonë është oferta e PDK-së për qytetarët, duke përfshirë listën e kandidatëve për deputetë që do të prezantojmë, dhe jo koalicionet eventuale”, tha ai për Telegrafin.
Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës është partnere në koalicionin qeverisës së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme pritet të mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj, pas ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë.
“Do të paraqitem në Gjykatën Speciale, dhe kam vlerësuar së nuk mund të paraqitem si kryeministër i Kosovës, por do të paraqitem si qytetar i thjeshtë, pra si Ramush Haradinaj, Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj”, kishte deklaruar ai ditë më parë para mediave.
Haradinaj, gjatë ditës së djeshme ka njoftuar edhe zyrtarisht për dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit, krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike në Kosovë.
Ndërsa sot, ai pritet të udhëtojë për në Hagë. /Telegrafi/