Telegrafi

Krasniqi: Thoni jo tjetërsimit të pasurisë së Trepçës

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, e mbështet fuqishëm si menaxhmentin ashtu edhe Sindikatën e Trepçës për mos tjetërsimin e aseteve të kësaj ndërmarrje.

 

“Ne jemi kundër vazhdimit të tjetërsimit të pasurisë kombëtare duke u mbështetur në infrastrukturën ligjore që edhe deri me sot e ka dëmtuar interesin kombëtar. Jemi te bindur se pasuritë e Trepçës janë aseti kryesor nacional i Republikës se Kosovës dhe si i tillë duhet të jetë në shërbim te qytetarëve dhe te zhvillimit të vendit dhe jo në shërbim të atyre që edhe deri më tani i ‘bënë rrush e kumbulla’, shumë pasuri publike e kombëtare”, shkruan Jakup Krasniqi në një komunikatë për media.

 

Sipas Krasniqit, Nisma dhe jo vetëm ajo duhet ta mbrojnë qëndrimin e saj konsekuent se tjetërsimi i asaj pasurie nuk guxon t’i mbetet AKP-së e as koalicionit qeveritar.

 

Krasniqi thotë se për tjetërsimin e asaj pasurie nacionale, duhet të ekzistojë një konsensus nacional.

 

“Duhet të formohet një trupë e përbërë nga profesionist e politikanë të përgjegjshme, të cilët me kompetencë do të mbrojnë pasurinë publike e kombëtare të vendit, duke u mbështetur në një infrastrukturë te re ligjore. Çdo formë tjetër te tjetërsimit do ta kundërshtojmë e denoncojmë fuqishëm. Dhe jo vetëm kaq, por kurrë nuk do ta pranojmë asnjë zgjidhje jo konsensuale, për diçka që është interes kombëtar”, shkruan Krasniqi.

 

Sipas tij, qytetarët e Kosovës dhe çdo segment i shoqërisë duhet të jenë më të vëmendshëm për çdo tjetërsim të pasurisë publike a kombëtare qoftë.

 

“Ata nuk guxojnë të vështrojnë sikur asgjë nuk po ndodh rreth nesh, përndryshe pasojat do të jenë edhe për brezat e ardhshëm. Asnjë grupi të interesit ekonomik a kriminal qoftë, nuk duhet lejuar më, të luaj me pasurinë tonë kombëtare të dhuruar nga Zoti!”, ka përfunduar Krasniqi. /KP/