Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Kransiqi ka kërkuar nga Qeveria që të merret parasysh kërkesa e kësaj ode për “Arkën patriot”, që ka për qëllim nxitjen e konsumit të prozhmimeve vendore.
Krasniqi gjatë takimit të kryeministrit Albin Kurti me prodhuesit ka ngritur edhe kërkesa tjera, sa i përket përballjes me krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19.
“Në kuadër të masave që ne kemi kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria ka qenë edhe krijimi i një “Arke patriot”, në mënyrë që të subvencionohet prodhimet vendore për ekspozim nëpër markete. Këtë mënyrë e kanë bërë vendet e tjera dhe me këtë e kanë nxitur rritjen e prodhimit vendor, por edhe konsumin e prodhimit vendor, duke i subvencionuar këto nëpër markete me 10 për qind. Po ashtu, duke subvencionuar edhe eksportin me 10 për qind. Po ashtu kemi edhe kërkesa të tjera për të tejkaluar këtë krizë, e cila e nuk po është e lehtë, por edhe cila nuk po dihet sa po zgjatë”, tha Krasniqi.
Sa i përket kësaj kërkese, kryeministri Kurti tha se rrethanat aktuale tregojnë se duhet të ketë përqendrim te prodhimi.
“Edhe pandemia COVID-19 në njërën anë, edhe mbrojtja e mjedisit në anën tjetër janë duke treguar që duhet të përqendrohemi tek prodhimi vendor. Një ndër ndotësit e ambientit është pikërisht transporti. Nëse zvogëlohet transporti, mbrohet më mirë mjedisi, që do të thotë se duhet kemi sa më shumë ekonomi e prodhimtari lokale. Sa më shumë që kemi imunitet edhe si ekonomi, jo vetëm si shëndetësi publike, do të jetë më mirë për mirëqenie”, tha Kurti. /Telegrafi/